Qeveria-Haradinaj- KALLXO

PSD pret që Qeveria ta zvogëlojë numrin e zëvendësministrave

Deputetja e Partisë Socialdemokrate(PSD), Shqipe Pantina në një konferencë për media u shpreh se presin që edhe kërkesa e fundit e kësaj partie ndaj ekzekutivit, Ligji për Qeverinë, të përmbushet.

Sipas saj, Qeveria obligohet ta kryejë premtimin që ta zvogëlojë numrin e zëvendësministrave deri në mars të këtij viti.

Aktualisht, qeveria e Kosovës i ka rreth 80 zëvendësministra.

“Pas shkarkimit të tashmë të ish ministrit Rikallo, i cili i hapi rrugë ministrisë së Bujqësisë, edhe katër kërkesat e tjera të parashtruar nga PSD tashmë janë realizuar ose janë në proces. Njëra nga kërkesat ishte edhe miratimi i Ligjit për reformën në Administratë Publike. Ligjet kanë që tri vite që qarkullojnë në qeveri, por pa kushtëzimin tonë do të kalonte edhe një kohë e ngjashme dhe nuk do të miratoheshin, siç janë ligji për Administratën Shtetërore, Ligji për zyrtarë Publik dhe Ligji për Pagat. Pavarësisht vërejtjeve, miratimi i tyre konstatojmë se i jep fund kaosit që ka ekzistuar deri më tani në sektorin publik”, u shpreh Pantina.

Deputetja shtoi se tashmë nuk do ketë mundësi që secili bartës i dialogut të veprojë krye në vet, pasi që sipas saj, Ligji për dialogun synon të vë një rend më procesin e pjesëmarrjes në dialog.

“Dialogu me Serbinë është një proces që e ka përcjellë Republikën e Kosovës gati prej se është e pavarur. Serbia dhe rreziku nga ajo janë shënjuesit kryesorë të politikës në Kosovë. Skena politike në Kosovë është e dallueshme sa i përket pozicionit të partive politikë kundrejt dialogut. Më së paku në mars qeveria obligohet ta sjellë Ligjin për Qeverinë në Kuvend. Nuk do jetë më numri i madh i zv.ministrave. Ligji për dialogun synon të vë një rend më procesin e pjesëmarrjes në dialog që nënkupton që secili institucion dhe ekipi do jetë i sanksionuar dhe rregulluar me ligj. Nuk do ketë mundësi që çdo bartës i dialogut të shkojë secili krye në veti”, theksoi ajo.

Ndërkaq, deputetja e PSD-së, nuk e mohoi bashkëpunimin me partitë opozitare për rrëzimin e Qeverisë.

“Partia Socialdemokrate i ka dhënë nënshkrimet e veta dhe ne qëndrojmë prapa kësaj, kur do që ka një mocion për rrëzimin e kësaj qeverie nënshkrimet tona tashmë janë të deponuara nëse duam të ngrisim një mocion të tillë, dhe do ta mbështesim atë. Por, ne do të intervenojmë edhe në vendimet e gabuara”, tha Pantina.

https://kallxo.com/kushtet-e-mbetura-te-psd-se-per-votimin-e-buxhetit/

https://kallxo.com/zevendesministrat-do-te-marrin-rroge-edhe-pas-perfundimit-te-mandatit-dokument/