AAK - PSD prezantojnë Projektligjin për Qeverinë

Koalicioni parazgjedhor Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD), në një konferencë për media kanë shpalosur synimin e qeverisë ardhshme pas zgjedhjeve për reformimin e administratës, si dhe kanë prezantuar Projektligjin për Qeverinë, pikërisht në ditën e parë të fillimit zyrtar të fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.

Shqipe Pantina nga PSD-ja, tha se synimi i tyre është të fillohet me digjitalizimin e procesit të rekrutimit, si dhe departizimin e administratës shtetërore.

“Në mandatin e kaluar ne kemi filluar reformën në administratën shtetërore.  Tri ligje të rëndësishme tashmë janë miratuar, që janë Ligji për administratën shtetërore, Ligji për zyrtarët publik dhe Ligji për pagat. Këto janë themelet e një administrate të mirë në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët”, tha ajo.

Pantina tha se kanë synim që edhe të fillojë digjitalizimi i procesit të rekrutimit.

“Aplikimi do të jetë online, testi do të bëhet në mënyrë anonime, poashtu edhe vlerësimi. Synimi ynë në qeverinë e ardhshme është departizimi i administratës shtetërore”, shtoi ish-deputetja.

Kurse, Besnik Tahiri nga AAK-ja ka treguar disa nga propozimet në Projektligjin për Qeverinë.

“Qeveria Mustafa i ka pasur 20 ministri, 57 zëvendësministra. Ne kemi pas 1 ministri më shumë, më shumë zëvendëskryeministra dhe shumë më shumë zëvendësministra. Madhësia e qeverisë nuk është produkt i yni, ka qenë kulturë e të gjitha partive politike, të cilën ne kemi ndalë me këtë ligj”, tha ai.

Tahiri shtoi se Projektligji për qeverinë është i përfunduar.

“Unë kam propozuar dy versione me 12 ministri, dhe versioni me 15 është ai që e kam rekomanduar. Ideja është që asnjë zëvendëskryeministër të mos ketë pozitë pa qenë ministër. Zëvendëskryeministri pa ministri është shumë më i dobët. E dyta, ideja është që të jenë vetëm 2 zëvendësministra. Në 15 ministri, nuk do të ketë më shumë se dy zëvendësministra”, theksoi Tahiri, i cili ishte emëruar si koordinator nacional për Reforma Shtetërore, në Qeverinë Haradinaj.

Ai foli edhe për “shkrirjen” e ministrive.

“Ministrinë e Punëve të Jashtme e kemi bashku me Ministrinë e Diasporës. Administratën publike ta kthejmë në Ministrinë e Administratës Shtetërore dhe Integrimit Evropian. E kemi strukturuar në esencë modelin e qeverisjes jo vetëm në madhësi, por edhe efikasitetin në punë”, shtoi ai.

Sipas Tahirit, Ligji për qeverinë e kufizon qeverinë në procesin zgjedhor dhe në ciklin e zgjedhjeve të rregullta pas 4 vjetëve, duke shtuar se në këtë ligj përcaktohen edhe kompetencat e qeverisë në dorëheqje.

“Anëtarët e Qeverisë vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re dhe pranim-dorëzimin zyrtar të detyrës”, tha ai duke cituar projektligjin.

Në anën tjetër, Shqipe Pantina (PSD, ka thënë se asnjë punëtor që është i punësuar me vendim nuk e humb vendin e punës.

“Tashmë është ndaluar kontrata mbi vepër pasi e ka ngarkuar administratën shtetërore”, tha ajo.