Aida Dërguti FOTO- Facebook/Aida Dërguti

Aida Dërguti flet për konkursin në MPJ, thotë se konkuroi si çdo qytetar

Ish-deputetja e Partisë Social Demokrate , Aida Dërguti ka thënë ka aplikuar në konkursin e MPJD-së në të cilin ishin kërkuar 15 nëpunës, të cilët do të shpërndahen nëpër misione konsullore.

Megjithatë ajo ka mohuar të jetë kontaktuar nga mediat për tu pyetur për këtë, ashtu siç ka mohuar të jetë pjesë e Partisë Socialdemokrate (PSD-së) ose e ndonjë marrëveshjeje të koalicionit që kjo e fundit ka pasur me AAK-në.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Dërguti ka thënë se ka aplikuar në konkursin e hapur si një qytetare e thjeshtë.

“Artikulli të bënë dy shpifje, e para nuk jam pjesë e PSD-së prej 2019, dhe e dyta nuk më kanë kontaktuar, as nuk kanë provuar. Unë kam aplikuar dhe mendoj që kam të drejtë si çdo njeri i këtij vendi në konkursin i cili ka qenë i shpallur në gusht dhe nuk kam marrë kurrfarë përgjigje se çfarë ka ndodhur, iu kam nënshtruar testeve dy herë, do të thotë testi i përgjithshëm dhe në shtator testin e gjuhës dhe më nuk kam asnjë informacion”, ka thënë ajo.

Dërguti ka thënë që nuk është dashur të futet në të njëjtin rang me ish-bashkpartiaken Shqipe Pantina që sipas saj po synon të bëhet ambasadore.

“Me më fut me të njëjtin rang me Shqipen e cila shkon ambasadore dhe nuk shkon përmes konkursit, ju e dini qysh emërohen ambasadorët, Unë nuk jam pjesë e PSD-së, nuk kam marrë pjesë as në zgjedhje, unë jam jashtë kësaj partie iu kam nënshtruar konkursit si çdo qytetar i këtij vendi. Shqipja është pjesë e PSD-së dhe ajo është në pozicion të ambasadores, e me kshyr mu tash me më përfshi në këtë lojë të ndytë që eksponentë të caktuar kanë për pushtet është jo korrekte”, tha ajo.

Mediat sot kanë raportuar se ish-deputetja e PSD-së Shqipe Pantina do të propozohet për ambasadore në Japoni, ndërsa Aida Dërguti si dhe Anita Haradinaj do të jenë pjesë e misioneve diplomatike.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë ish-deputeten Pantina mirëpo e njëjta nuk  ka qenë e qasshme deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.