Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Propozohet ekzaminim psikiatrik ndaj të akuzuarit për tentim-vrasje të dhëndrit

Në shqyrtimin e dytë të akuzës ndaj Sadik Dinajt, të akuzuarit për veprat penale vrasja e rëndë në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, është kërkuar ekzaminimi psikiatrik i të akuzuarit.

Kërkesën për ekzaminim e paraqiti mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Haxhi Çeku.

“Për shkak të vërtetimit të gjendjes së tij dhe për shkak të dokumentacioneve të shumta sa i përket diagnozës së tij dhe sëmundjeve të tjera nga të cilat i mbrojturi im lëngon i propozoj gjykatës ekzaminimin psikik pranë QKUK-së “, deklaroj avokati Ceku.

Kërkesën e mbrojtësit për ekzaminimin psikik te të akuzuarit nuk e kundërshtoi prokurori i shtetit.

“Unë nuk e kundërshtoj propozimin e mbrojtësit sepse kjo është në interes të vërtetimit dhe përcaktimit të gjendjes shëndetësore të pandehurit para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale, duke pasur parasysh moshën e tij, “ tha prokurori Agron Galani.

Propozimi i mbrojtësit për ekzaminimin psikiatrik u aprovua nga Gjykata.

Tutje avokati kërkoi edhe ndryshimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak apo atë te dorëzanisë.

“Dëshiroj të ju njoftoj se familja Dinaj në formë të shkruar me nënshkrimet e tyre kanë konfirmuar se raportet mes tyre dhe familjes tjetër Berbati, janë përmbyllur në kuptimin pozitiv, dhe për shkak të moshës, gjendjes shëndetësore, kërkoj nga ana e gjykatës që të merr aktvendim mbi zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak apo atë te dorëzanisë.

Andaj nga aspekti human kërkoj që gjykata të veproje sipas propozimit tim, duke u nis nga fakti se kemi të bëjmë me një person të moshës mbi 70 vjeçar, e të cilit i duhet përkujdesja familjare, “ tha avokati Haxhi Çeku.

Sadik Dinaj, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë, se për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme me të dëmtuarin Rifat Berbati i cili është dhëndër tij, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta duke e rrezikuar në atë rast edhe jetën e të dëmtuarit tjetër Gëzim Balokut në atë mënyre ku Rifati së bashku me mbrojtësin e tij Gëzim Balokun ishin duke shkuar në seancë gjyqësore dhe në orën 13:30, i pandehuri Sadik i cili ishte duke pritur para Gjykatës Themelore në Pejë, pasi i afrohen të dëmtuarit në afërsi prej 2 metrave, e nxjerrë pistoletën dhe shtënë një herë në drejtim të dëmtuarit Rifat, i cili gjendej mbrapa mbrojtësit të tij, me që rast ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë, thuhet në akuzën e Prokurorisë.