Prishet “Range Rover” i Bashotës, 10 mijë Euro për Riparim

10 mijë euro mund t’i kushtojë buxhetit Komunal të Klinës, riparimi i veturës zyrtare të kreut komunal, Sokol Bashota. Vetura “Range Rover” ishte bllokuar rrugës për Prishtinë dy javë me parë deri sa shoferi i Kryetarit ishte duke shkuar për ta kryer një porosi të shefit të tij. Menjëherë pas bllokimi të makinës vetura luksoze ishte dërguar tek kompania kontraktuese me komunën për t’u ndrequr.

Këtë e ka bërë të ditur për Kallxo.com, Mehmet Morina, zyrtar përgjegjës për automjete në Komunën e Klinës. Sipas tij, mjeshtërit e kompanisë për rregullimin e automjeteve kanë konstatuar së motori i veturës është bllokuar, por mund të riparohet. Kurse Morina thotë se ka propozuar t’i blihet një motor i ri pasi që kostoja e riparimit është e barabartë me çmimin e motorit të ri.

“Motori është bllokuar. Punëtorët e kompanisë thanë së mund të ndreqet. Por çmimi i riparimit oshtë goxha i kushtueshëm dhe unë kamë propozuar që me mirë të blihet një motor i ri për automjeti pasi që çmimi oshtë gati i njëjtë, diku afër 10 mijë euro”, tha Morina.

Kontakti me Kreun e Komunës ka qenë i pamundur për shkak së gjendej në vizitë zyrtare jashtë vendi për disa ditë për të ditur qëndrimin e tij lidhur me fatin e veturës së tij e cila ishte blerë në vitin 2010 për 67 mijë euro.

Ndërsa, zyrtari përgjegjës për automjete në Komunë të Klinës thotë së ka mbetur të konsultohet me Kryetarin pasi të kthehet nga vizita zyrtare për të marrë vendim e tij për këtë çështje, të riparohet motori apo të blihet një tjetër i ri.

“Kur kthehet kryetari vendos së qysh oshtë ma mirë me vepru“, theksoi Morina.

Ramiz Rrusta drejtor i Financave në këtë komunë tha përmes telefonit së ende nuk ka ardhur asnjë faturë për këtë çështje dhe në momentin që ajo do të vijë do të bëhet ekzekutimi i pagesës.