Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia i reagon KMDLNJ-së lidhur me trajtimin e të arrestuarve

Policia e Kosovës ka dhënë sqarim në lidhje me disa shkrime në të cilat shkruhet se KMDLNJ konstaton keqtrajtimin e njërit nga të arrestuarit mbrëmjen e kaluar.

Me anë të një sqarimi Policia ka thënë se ‘..Bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, në funksion të zbatimit të ligjit Policia ndermerr veprime operacionale në funksion të realizimit të objektivave të saj. Për arritjen e këtyre objektivave Policia është e autorizuar sipas ligjit që konform situatës të zbatoj dhe aplikoj procedura standarde të operimit duke perfshirë edhe përdorimin e forcës fizike të domosdoshme, proporcionale dhe të nevojshem për vënien në kontrollë të përsonave të dyshuar”.

Të pyetur nga KaLLXO.com në lidhje me raportin e policisë, këta të fundit kanë thënë se në rastin e fundit të mbrëmjes së kaluar kërkohet qasje profesionale dhe veprime efikase operacione për kontroll dhe shmangie të rrezikut potencial, pasi që policia tek të arrestuarit ka gjetur edhe armë.

“Megjithatë, sikurse edhe herave tjera Policia e Kosovës pas vlerësimeve pasoperacionale do të trajtoj dhe analizoj të gjitha veprimet e zyrtareve policorë, duke perfshirë edhe shqyrtimin e raporteve zyrtare mbi përdorimin e forcës së mundshme.

Dhe ju konfirmojmë se PK ka bashkëpunim të mirë me KMDLNJ dhe i merr për bazë deklarimet mbi dyshimet e ngritura për perdorimin e mundshëm të forcës ndaj një të arrestuari”, thuhet në sqarimin e policisë.

Po ashtu sipas sqarimit, Policia pas shqyrtimit dhe analizimit të të gjitha raporteve zyrtare dhe veprimeve të zyrtarëve policor, varesisht nga të gjeturat dhe rezultatet e dala, ka thënë se do të ndërmerr veprime adekuate konform autorizimeve ligjore.

“Prandaj, ju rikonfirmojmë që Policia e Kosovës është e perkushtuar në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe është transparente për ofrimin e të gjitha informacioneve relevante për opinionin dhe mediat e që kanë të bëjnë me aktivitete policore dhe respektimin e të drejtave njerëzore në përgjithësi”, thuhet në fund të sqarimit.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me arrestimin mbrëmjen e kaluar dhe njoftimin e KMDLNJ-së.