Arkiva - Foto: KALLXO.com

Arrestohen gjashtë persona në rajonin e Prishtinës për mosrespektim të vendimit të Qeverisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar në 24 orët e fundit në  rajonin e Prishtinë për mosrespektim të vendimit të Qeverisë.

Sipas policisë, dy të dyshuarit e parë janë arrestuar në Gllogoc, dy në lagjen Veternik,  një në rrugën ´´Robert Doll´´, dhe i dyshuari i fundit në Gllogoc.

Policia ka bërë të ditur se të gjithë të dyshuarit për mosrespektim të vendimit të qeverisë janë liruar në procedurë të rregullt.

Në mbledhjen e 22-të të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që kufizimi i qarkullimit të qytetarëve të mbetet në fuqi deri më 12 prill.

“Ndërsa vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/15 i datës 23.03.2020, i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 02/17 të datës 27.03.2020 për ndalimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, mbetet në fuqi deri më datë 12.04.2020”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Fillimisht më 23 mars, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që nga 24 marsi të ndalohet qarkullimi i veturave nga ora 10:00 deri në orën 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00, përveç në nevoja urgjente që janë përcaktuar me vendim. Lëvizjet në rrugë të mos bëheshin më shumë se dy persona dhe të mbanin distancën me të tjerët deri në 2 metra. Po ashtu u ndaluan edhe tubimet në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Më 27 mars, Qeveria e plotësoi dhe e ndryshoi këtë vendim, duke ndryshuar orarin e qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe veturave. Tanimë qytetarët mund të lëviznin nga ora 06:00 deri në orën 17:00.

Me këtë vendim u ndalua edhe qarkullimi nëpër sheshe, barnatoret e licencuara do të operonin deri në orën 17:00, e më pas nëpër secilin qytet të përcaktohen barnatoret kujdestare.

Po ashtu, u theksua se shkelësit e masave të ndërmarra nga Qeveria do të dënohen sipas ligjit.