Pensionohet Isa Mustafa

Kryeministri Isa Mustafa nuk është më profesor universitar.  Kjo për shkak se ai nëntë muaj më parë e ka mbushur moshën e pensionimit.

Myrvete Badivuku-Pantina, prorektore për buxhet dhe financa e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka treguar për KALLXO.com se Isa Mustafa nuk është në listën e pagave që nga 15 maji i vitit 2016, datë kur ai ka mbushur 65 vjet.

“Prof.dr. Isa Mustafa më 15.05.2016 e ka arritur moshën  e pensionimit, kështu që prof. Isa Mustafa prej datës 15.05.2016 nuk është në listën e pagave në UP-së”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Megjithatë, kryeministri Mustafa figuron ende si profesor i rregullt në web-faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës.

Aty thuhet se Prof.Dr. Isa Mustafa në nivelin bachelor ligjëron 2 lëndë, Mikroekonomia I dhe Menaxhmenti Financiar si dhe në nivelin master ligjëron lëndën Menaxhmenti Financiar II.

Gjithashtu, edhe në web-faqen zyrtare të Kryeministrit, ku tregohet biografia e tij, thuhet se Isa Mustafa është profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.

Isa Mustafa kishte filluar punën si profesor i Universitetit të Prishtinës pas përfundimit të luftës.

Mustafa kishte punuar si asistent e ligjërues për rreth 13 vjet, para kohës së luftës, nga viti 1976 deri në vitin 1989.

Ndërsa ishte rikthyer në Universitetin e Prishtinës si profesor në vitin 2002. Ndërsa në vitin në 2011 ai ishte bërë profesor i rregullt në UP.

Këtu mund ta gjeni CV e tij.