Behgjet Pacolli - Foto: Facebook

Pacolli u Jep Ultimatum LDK-së e Vetëvendosjes

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, u ka bërë thirrje “edhe një herë“ LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të gjejnë zgjidhje, të definojnë dhe krijojnë qeverisjen alternative.

Në këtë drejtim AKR-në e kanë paluhatshëm në dispozicion, ka thënë Pacolli në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Por, në mungesë të kësaj zgjidhjeje, Pacolli ka thënë se katër deputetët e AKR-së nuk do të konsiderohen më vetëm si numra duke pritur dhe kontribuar ngërçit, për interesat e tyre.

“Unë dhe AKR duam zgjidhje urgjente, ngase jemi në anën e qytetarit dhe Kosovës”, ka theksuar Behgjet Pacolli, të cilit kuvendi i përgjithshëm i partisë së tij të dielën i ka dhënë autorizim që për daljen nga kriza institucionale e vendit të kërkojë zgjidhje edhe jashtë koalicionit parazgjedhor të nënshkruar me LDK-në dhe Alternativën.

Pacolli ka vlerësuar në postimin e tij në “Facebook” se mosfunksionimi dhe mungesa e gatishmërisë së dy partnerëve të opozitës për marrëveshje dhe fakti që ana tjetër nuk e ka shumicën e numrave nënkupton nevojën e konsensusit gjithëpërfshirës për interesat e vendit.