Osman Ejupi jep dorëheqje morale nga Bordi i Telekomit
Anëtari i Bordit të Telekomit të Kosovës, Osman Ejupi ka dhënë dorëheqje nga Bordi i Telekomit.
Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com, kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri – Berisha.
“Po, ka dhënë dorëheqje sot”, ka thënë ajo.
Shatri – Berisha ka shtuar se Ejupi ka dhënë dorëheqje morale.
“Ai ka dhënë dorëheqje morale sepse obligim ligjor nuk e ka pasur”, ka potencuar kryesuesja e Bordit të Telekomit.
Gjatë javës së kaluar mediat kanë raportuar se Ejupi kishe punësuar katër fëmijët e tij në Telekomin e Kosovës brenda një muaji.
Më 28 shkurt ministri i Zhvillimit Ekonomik kishte kërkuar që të vërtetohet kjo informatë.
Ai kishte premtuar se nëse kjo informatë do të ishte e vërtetë atëherë do të kërkonte menjëherë shkarkimin e Ejupit.
“Ne sot kemi kërkuar të vërtetohet kjo informatë dhe nëse del të jetë ashtu, si ministër i linjës do të kërkoj menjëherë shkarkimin e anëtarit të bordit në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Nepotizmi dhe ushtrimi i ndikimit në punësim janë vepra të patolerueshme. Praktika të tilla janë në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike dhe ligjin e punës”, kishte shkruar Lluka.
Osman Ejupi ishte përzgjedhur si anëtar i Bordit të Telekomit më 29 mars të vitit 2018.