Bedri Istrefi - Foto: Facebook/ Bedri Istrefi

Reagon Bedri Istrefi pas vendimit të Inspektoratit: Jam i lumtur që do të kthehem në punë

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka reaguar pas vendimit të Inspektoratit të Punës që e ka obliguar bordin e përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje që të anulojë vendimin për shkarkimin e tij.

Istrefi ka shkruar se me vendimin e Inspektoratit të Punës është konfirmuar se ai ka pasur të drejtë.

“Sot u konfirmua edhe zyrtarisht se unë kam pasur të drejtë. Kjo për faktin se Inspektorati i Punës sot ka vendosur në favorin tim duke e bazuar si të kundërligjshëm vendimin e datës 25.04.2020 të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve”, ka shkruar Istrefi në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, shkarkimi i tij nga pozita e kryeshefit ishte bërë për qëllime politike.

“Ky vendim i sotëm dëshmojë edhe një herë se spektakëli dhe insinuatat e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve ishin thjeshtë dhe vetëm një veprim i kundërligjshëm për të përmbushur qëllimet e tyre politike, qëllime këto plotësisht tendencioze saqë e dëmtuan dhe përkeqësuan rëndë imazhin e kompanisë sonë”, ka shkruar tutje ai.

Në fund, Istrefi ka shkruar se është i lumtur që do të kthehet në punë si kryeshef i Telekomit, derisa ka thënë se do të bëjë çmos për ta rimëkëmbur kompaninë.

KALLXO.com raportoi pak orë më parë se Inspektorati i Punës ka nxjerrë vendimin i cili obligon Telekomin e Kosovës ta anulojë shkarkimin e ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.