Ministrja Rozeta Hajdari: Anëtarët e rinj të Bordit në Telekom nuk kanë të kaluar kriminale

Të premten, Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës shkarkoi kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Bedri Istrefi.

Por, vetëm një orë para se të merrej vendimi, vetë Istrefi doli në një konferencë për media.

Ai, kundërshtoi emërimin e Bordit nga Qeveria e Kosovës ndërsa, pati akuza edhe për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Për më tepër, Istrefi tha se në Bordin aktual të Telekomit të Kosovës ka njerëz me të kaluar kriminale.

“Për informatën e juaj, në Bordin e Ndërmarrjës të instaluar politikisht, që të marrin udhëra e vendime politike, kemi që kanë të kaluar kriminale, nëpër Gjyakta. Kërkojeni ju, mediat, kërkoni nga ata që të nxjerrin certifikatën që nuk kanë të kaluar kriminale në policinë e Kosovës apo edhe që nuk janë nën hetime nga prokuepria e Kosovës”, deklaroi ai para gazetarëve të premten.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, i ka mohuar pretendimet e ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

Ajo ka thënë se vetë i kanë kontrolluar anëtarët e Bordit të Përkohshëm për të parë të kaluarën e tyre.

“I kemi pyet, i kemi marrë numrat e tyre personalë, i kemi kontrolluar edhe në polici, pra i kemi kontrolluar vet për të qenë sa më të saktë. Asnjëri nuk ka të kaluar kriminale, unë vet i kam intervistuar”, tha shkurt Hajdari në një bisedë për KALLXO.com.

Më 6 mars të këtij viti, Qeveria në krye me Albin Kurtin emëroi një Bord të Përkohshëm në Ndërmarrjen Publike “Telekomi i Kosovës”.

Qeveria shkarkon bordin e drejtorëve të Telekomit