Qeveria injoron britanikët, drejtori i ZKM-së zgjidhet anëtar i Bordit të Telekomit

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Shkelzen Ibrahimi është emëruar anëtar i Bordit të Telekomit të Kosovës, i cili nuk i plotësonte kushtet për emërim duke mos e futur në mesin e 12 personave të emërueshëm.

Ibrahimi është emëruar në vend të Fidel Krasniqit, i cili ka dhënë dorëheqje nga Bordi në fund të muajit dhjetor të vitit 2018. Tani, Shkelzen Ibrahimi është Drejtor i Administratës në Zyrën e Kryeministrit. Aty është emëruar në vitin 2012, në kohë kur kryeministër ka qenë Hashim Thaci, ish-kryetari i PDK-së.

Ibrahimi, i cili do të zëvendësojë Krasniqin, nuk është në mesin e personave të cilët janë konsideruar të emërueshëm për të qenë pjesë e Bordit sipas partnerëve të Ambasadës britanike, BDO-së.

Ibrahimi nuk ka qenë as në listën e ngushtë të Komisionit vendor.

Propozimi fillestar i komisionit vlerësues dhe Ambasada britanike kanë qenë vetëm me nga 12 persona në listë, pra dy propozime për një vend në Bord. Mirëpo, në ndërkohë, në rrethana ende të pasqaruara, listës së komisionit vendor i janë shtuar edhe 6 emra, ndër ta edhe Shkelzen Ibrahimi.

Gazeta Jeta në Kosovë i kishte siguruar emrat që janë shtuar në ndërkohë. Të njëjtit fillimisht nuk kishin marrë pikë të mjaftueshme as për të qenë në listën e ngushtë.

Kësaj liste i ishin shtuar Naser Rusinovci, Flamur Keqa, Rafet Jashari, Valdrin Kasumaj, Shkelzen Ibrahimi dhe Skender Hoti.

Bordi i Telekomit të Kosovës ishte zgjedhur në mars të vitit 2018. Të zgjedhurit nga ekzekutivi ishin: Besa Shatri, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Kransiqi, Suzana Andjelkovic. Vetëm tre nga gjashtë anëtarët e emëruar në bord i plotësonin kushtet për emërim sipas vlerësimit të britanikëve. Katër nga gjashtë anëtarët e zgjedhur kanë lidhje shoqërore apo të kaluar politike me partitë në pushtet.

Ibrahimi i shtohet listës së anëtarëve të bordit që nuk i plotësonin kushtet për emërim. Qeveria e ka injoruar vlerësimin e britanikëve, pasi në listë i kanë pasur edhe nëntë persona që britanikët i kanë vlerësuar që i plotësojnë kriteret për emërim.

Bordi i Politizuar i Telekomit

.