Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës

Qeveria shkarkon bordin e drejtorëve të Telekomit

Kabineti Qeveritar ka votuar pro shkarkimit të bordit të drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, para kabinetit qeveritar bëri me dije se Telekomi është në prag të falimentimit, andaj duhet vepruar.

“Është në gjendje të rëndë financiare dhe operative. Ndodhet në prag të falimentimit. Në këto rrethana si ministre përgjegjëse konstatoj nevojën për veprim të menjëhershëm të Qeverisë. Shkarkohet bordi dhe emërohet bordi i ri”, tha ministrja Hajdari

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti i ka kërkuar ministres Hajdari që të bëjë kontrolle edhe në ndërmarrjet e tjera.

“Për të vlerësuar gjendjen është marrë parasysh raporti i auditimit. Qeveria mund t’i shkarkojë drejtorët nëse ndërmarrja për dy vjet nuk përmbush planin. Qeveria konstaton se janë plotësuar kushtet për shkarkimin e drejtorëve, duke pasur parasysh raportin e auditimit. Ata kanë lejuar shpenzime të tepërta, punësime e gradime pa kriter. Ka arsye për të besuar se kanë shkelur detyrat financiare për çka duhet të shkarkohen”, tha në mes tjerash kryeministri Kurti.