Oda Ekonomike Amerikane: Të krijohen masa të reja fiskale për nxitjen e sektorit të prodhimit

Rritja e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendorë përmes lehtësirave tatimore si dhe krijimi i politikave specifike për nxitjen e rritjes së eksporteve janë të nevojshme në zhvillimin e qëndrueshëm të tyre, ndërsa ende nevojiten mekanizma nga institucionet relevante në adresimin dhe eleminimin e barrierave si tregtare ashtu edhe tarifore. Kjo u tha sot gjatë prezantimit të studimit “Indeksi i prodhimit” i bërë nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se krahas vëmendjes së shtuar ndaj zhvillimit të sektorit të prodhimit në vend, si përmes masave fiskale të ndërmarra nga Ministria e Financave, ashtu edhe përmes skemave të granteve mbështetëse nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ende ka mungesë të rezultateve mbresëlënëse, njofton Oda Ekonomike Amerikane përmes një komunikate për media.

“Ky studim përfshin adresimin e sferave të ndryshme në sektorin e prodhimit si fuqia punëtore, infrastruktura mbështetëse, qasja në financa, infrastrukturës së cilësisë, sundimi i ligjit, etj, duke pasqyruar gjendjen aktuale në sektorin e prodhimit dhe problemet të cilat duhet të adresohen nga institucionet relevante”, tha Zeka.

Ndërsa Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se sektori i prodhimit ka zënë vendin e merituar në debatin publik në vend, mirëpo përveç kësaj nevojiten masa konkrete nga institucionet publike në arritjen e rezultateve aftagjate dhe të kënaqshme në këtë sektor duke qenë ndër sektorët më kontribues në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Ministria që ai drejton ka prioritet ruajtjen e situatës së qëndrueshme dhe stabilitetit makrofiskal.

“Kemi nevojë për ndërmarrjen e reformave në strukturën ekonomike për të ulur deficitin e lartë tregtar, duke shtuar se reformat fiskale të cilat janë tashmë efektive, si në lëndën e parë, pajisjet e teknologjisë së informacionit, etj, kanë treguar rezultatet pozitive në zhvillimin e bizneseve dhe rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese”, deklaroi ministri Hamza.

Në anën tjetër, Durim Limaj nga Ministria e Tregtisë së Industrisë, tha se Ministria ka prioritizuar rritjen e prodhimit vendor si dhe cilësinë e produkteve duke vendosur masa mbrojtëse për disa produkte si dhe hartimin e ligjit për tregti të brendshme, mes të tjerash, duke përmendur gatishmërinë e Ministrisë në adresimin e barrierave tarifore dhe jotarifore për prodhuesit.

23 Maj 2019 - 13:52

Valon Fana 23/05/2019 - 13:52
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend