Synohet rritja e sigurisë nacionale kibernetike me anë të partneritetit publiko-privat

Me organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe me një panel ekspertësh vendor dhe të huaj, është mbajtur një forum virtual rreth sigurisë kibernetike në vend.

Në këtë forum u tha se avancimi digjital i përshpejtuar nga pandemia COVID-19 ka sjellë përfitime përshoqërinë, por në të njejtën kohë u ka hapur rrugë rreziqeve të padukshme kibernetike.

Gjenerali Timothy Orr, ish drejtor për mbrojtje publike në shtetin e Iowas, theksoi se në Shtetet e Bashkuara gjerësisht përdoret partneriteti publiko-privat për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe rrjetet, si dhe për të shtyrë strategjinë e përgjithshme kibernetike. Sipas tij, çdo qeveri duhet të ketë një strategji kibernetike me të cilën përcaktohet funksionimi i vendit në këtë aspekt, duke krijuar një kornizë për ndarjen e informatave mbi rreziqet kibernetike që u kanosen sektorit publik dhe atij privat.

Ndërsa Kujtim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, theksoi se kjo kohë ka krijuar një mundësi të mirë për sinkronizim të aktiviteteve lidhur me sigurinë kibernetike në mes të sektorit publik dhe atij privat. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që gjatë viteve të fundit janë rritur kapacitetet e sigurisë kibernetike në infrastrukturën shtetërore, dhe sulmet deri më tani janë përballuar me sukses.

Pjesë e këtij forumi ishin Xhavit Gashi nga Oda Ekonomike Amerikane, Doug Jacobson profesor dhe drejtues i Qendrës për Siguri të Informacionit në Universitetin e Ioëas, Lajos Antal udhëheqës për shërbimet e rrezikut kibernetik në Evropën Qëndrore brenda kompanisë Deloitte, Kujtim Gashi drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Xhanan Karaqa, udhëheqëse e departamentit të sigurisë në NLB Bank, Rina Basholli, inxhiniere e avancuar në sigurinë e informacionit dhe Mentor Hoxhaj, kryetar i Cyber Security and Privacy.