Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga Qeveria që të konsiderojë pjesëmarrjen në 'Ballkanin e Hapur'

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka ftuar institucionet e Kosovës që të konsiderojnë pjesëmarrjen në iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.

“Duke njohur rëndësinë e koordinimit dhe integrimit ekonomik, stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor përmes lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thërret Qeverinë e Republikës së Kosovës që të konsiderojë në mënyrë serioze pjesëmarrjen në iniciativën në vijim për tregun e përbashkët rajonal”, thuhet në njoftim për media.

Oda Amerikane tutje ka ritheksuar thirrjet e përfaqësuesve të administratës së Shteteve të Bashkuara se çfarëdo iniciative e bashkëpunimit rajonal duhet të mundësojë përfaqësim të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “se është përgjegjësi e tri shteteve nismëtare të Ballkanit të Hapur, që të adresojnë brengat e Qeverisë së Kosovës dhe ato të vendeve të tjera skeptike”.

“Asnjë iniciativë për treg të përbashkët rajonal nuk mund të ketë sukses në rrethana kur jo të gjitha shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me respekt, dhe nëse nuk bëhen përpjekje serioze për largimin e aspekteve që irritojnë bashkëpunimin”, thuhet më tej.

Oda Amerikane është shprehur e bindur se bashkëpunimi ekonomik nuk ka alternativë në këto kohëra të pasigurta për ekonomitë rajonale dhe globale dhe se vetëm përmes integrimit ekonomik, vendet do të mund të tejkalojnë vështirësitë e ardhshme, siç janë sfidat në zinxhirët e furnizimit, siguria e ushqimit, mungesat e energjisë dhe mungesat e fuqisë punëtore.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson po ashtu se është e një rëndësie tejet të madhe që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të rreshtohen me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duke mbajtur qëndrim të harmonizuar duke dënuar invazionin rus të Ukrainës përmes sanksioneve”, thuhet më tej.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Në takimin e fundit të ‘Ballkanit të Hapur’ që u mbajt këtë muaj, shtetet nënshkruandisa marrëveshje, ndërsa përmes një videolidhje pjesëmarrësve iu drejtua edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, duke i dhënë mbështetje nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Në samitin e Ohrit për herë të parë do të mori pjesë edhe përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq.

Ai është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”.

Edhe komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se Brukseli e mbështet nismën, si mundësi, që sipas tij do t’i ndryshojë sfidat me të cilat është përballur rajoni, por edhe si mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.