Dr. Besnik Bicaj - FOTO KALLXO

Trajtimi i kancerit,këshillat e mjekut kosovar

Kanceri është sëmundje që prek organe të ndryshme të trupit. Kirurgu abdominal është mjeku që është i thirrur për të trajtuar në mënyrë kirurgjikale llojet e kancereve që përfshijnë zonën e barkut.

Në këtë zonë kanceret më të shpeshta janë të lukthit, zorrës së trashë dhe zorrës dymbëdhjetëgishtore, pankreasit dhe organeve të tjera, thotë për KALLXO.com kirurgu abdominal Besnik Bicaj.

“Në bark kanceret më të shpeshta i kemi duke filluar nga lukthi, zorra e trashë, zorra dymbëdhjetëgishtore, pankreasi dhe organet e tjera. Prej këtyre organeve më së shpeshti kanceri paraqitet në zorrën e trashë ajo është përgjithësi më i shpeshtë, prej organeve të barkut e ka vendin e parë ndërsa te meshkujt vjen i renditur  si i treti pas kancerit të mushkërive dhe karcinomës së prostatës të gjitha këto kancere në mënyrë kirurgjike trajtohen në klinikën tonë”, tha Bicaj.

Sipas kirurgut Bicaj, këto kancere trajtohen nga kirurgët në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës dhe gjithmonë për ata lehtësohet puna kur pacienti vjen në kohë.

“Zorra është një organ i cili është mjaftë i gjatë edhe pse karcinoma e zorrës së hollë është më e rrallë kurse ajo e  zorrës së trashë është më e shprehur, zorra e trashë ka 1 metër e 70 gjatësi karcinoma paraqitet në të gjitha pjesët e saj. Arsye patofiziologjike të saktë se përse paraqitet nuk e kemi po si duket zorra e trashë është pjesa ku mbeten mbetjet e ushqimit i cili nuk i duhet trupit të njeriut dhe është toksik dhe sigurisht ajo ndikon që ajo pjesë e zorrës të jetë më vulnerabile ndaj atyre toksinave që nuk i duhen organizmit dhe dalin në ambientin e jashtëm”, tha Bicaj.

Sipas doktorit pacienti duhet t’i kushtoj shumë rëndësi simptomave kur ato paraqiten, ndodhë që ato simptoma nuk kanë të bëjnë asgjë më kancerin, por sipas tij asnjëherë nuk është humbje një paraqitje apo kontroll te mjeku.

“Gjëja më e rëndësishme  për me luftu një kancer të zorrës së trashë si duhet është koha kur të lajmërohemi te mjeku, pra parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm simptomat e paraqitjes së kancerit të zorrës së trashë janë të përgjithshme nuk ka simptoma specifike edhe nëse themi se është gjaku ajo është simptomë e vonshme mirëpo mundet me u paraqit në 99.9 përqind të rasteve për arsye që nuk kanë të bëjnë me kancerit. Mirëpo ajo është simptomë që patjetër duhet me u lajmëru te mjeku dhe me bërë kolonoskopi- incizim të zorrës së trashë, rastet tjera janë kur kemi herë barkëqitje, herë kapsllëk, simptomat janë të ndryshme: fryerja, humbja e oreksit, çrregullimi i lirimit të gazrave janë të përgjithshme jo specifike”.

Doktori thotë se me gjithë këto simptoma mund të jetë ndonjë polip i formuar në zorrë që me një intervenim të thjeshtë largohet.

“Kur pacientët paraqiten në kohë suksesi është shumë i madh, është punë ekipore që bëhet nga mjeku që e diagnostikon sëmundjen, është punë e patologut, është punë e jona edhe e onkologut në një shtet normal kjo është punë edhe e sociologut dhe psikologut poenta është që sa më herët zbulohet mundësia e shërimit është më e madhe sa më herët që pacienti kalon në ushqim sa më natyral mundësia e shërimit është më e madhe dhe mundësia e mos-përsëritjes së sëmundjes është më e madhe, ju bëjë apel të cilët kanë pasur ndonjëherë gjakderdhje nga zorra e trashë nuk do të thotë se ka kancer por është mirë që të kontrollohet sepse nëse del që është kancer gjasat për shërim janë shumë të mëdha, karcinoma e zorrës së trashë është e shërueshme veç duhet me u zbulu herët”.

Sipas doktor Bicajt stili i jetës dalja në natyrë, ushqimi i shëndetshëm janë faktorë shumë të rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve të tilla.