Raserida Çepele /FOTO KALLXO

Këshillat e mjekut: Gjërat e nevojshme për pushime të sigurta në det

Në stinën e verës, një numër i madh i qytetarëve planifikojnë t’i kalojnë pushimet në det.

Mirëpo, përveç përfitimeve dhe kënaqësisë që ofron deti, profesionistët tërheqin vërejtjen se duhet pasur kujdes sepse mund të ndodhin të papritura e sidomos me fëmijët.

“Kujdes të veçantë duhet të kenë prindërit me fëmijët e vegjël. Prindërit duhet të marrin me vete kapele, krem dielli, lëngje, tresole, probiotik, ndonjë antipiretik, kremërat më të mirë me spf 50 (se e kanë më të ndjeshme lëkurën) Uva+uvb, mirë është me sa më pak kimikate të lyhen çdo dy orë dhe pas çdo dalje nga deti” thotë Raserida Çepele.

Sipas Çepeles kujdes duhet treguar me ruajtjen e barnave dhe kremave pasi që nxehtësia mund të shpërbejë lëndët aktive të tyre.

“Rekomandohet të mbahen në frigorifer (jo më shumë se dy muaj nga hapja). Kremin për mbrojtje nga dielli mbajeni larg diellit, mundesisht në hije, ku nuk ka shumë dritë dhe as lagështi. Të rriturit duhet të kenë me vete ato gjëra që ka çanta e urgjencës së veturës, ultrakorten, adrenalinë për ndonjë pickim të mundshëm ose ndonjë reaksion, antipiretik dhe krem dielli sigurisht dhe fashat e mjekimit, dezinfektues për ndonjë plagë të mundshme“, thotë ajo.

Sipas farmacistes me moshën janë të lidhura edhe rreziqet  e ndryshme.

Ajo thotë se rrezikun më të madh e kanë të vegjlit dhe të moshuarit prandaj njihen si kategoria ndaj të cilëve duhet treguar më së shumti kujdes.

“Ata mund të pësojnë dehidrime të lehta, të moderuara, apo të rënda deri tek goditja nga i nxehti. Normalisht duhet të shmangin ekspozimin në diell në oraret e drekës, edhe kur ekspozohen duhet të jenë të mbrojtur me krem, të konsumojnë sa më shumë lëngje, sa me pak alkool”, thotë ajo.

Sipas Çepeles, gabimi më i madh që bëhet nga njerëzit është fakti që nuk i kushtohet rëndësi mbrojtjes nga dielli.

“Një pjesë mendonjë se dielli edhe në oraret e pikut i jep benefite shëndetësore, nuk mbrohen me krem, nuk respektojnë oraret e ekspozimit. Madje mendojnë që mbrojtja me krem me faktor 50 do i pengojë nxirjen. Gjë që realisht nuk ndodh. Kremi i diellit mbron nga rrezet e dëmshme dhe mbrojtja nuk ka lidhje me nxirjen”, thotë ekspertja.