Shosholli e Sermaxhaj flasin për çerekfinalet e Kupës së Kosovës

Sezoni pranveror në futbollin kosovar do të nisë këtë vikend, me ndeshjet e çerekfinaleve të Kupës  së Kosovës.

Ndeshjet do të luhen me sistem të eliminimit direkt, pra me vetëm një ndeshje.

Të shtunën, më 9 shkurt, do të luhet vetëm një ndeshje, ajo ndërmjet Ferizajt dhe Feronikelit.

Ndërsa të dielën, më 10 shkurt, luhen tri takime, Kika  – Ballkani, Vëllaznimi – Drita dhe Prishtina – Trepça ’89.

Interesante në këtë raund është se në çerekfinale do të luajnë dy ekipe nga Liga e Parë, Kika dhe Vëllaznimi, ndërsa gjashtë ekipe tjera janë nga Superliga.

Për ta parë se cilat skuadra janë favorite për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe a priten përsëri befasi, KALLXO.com ka kontaktuar trajnerin e njohur kosovar Ajet Shoshollin dhe analistin sportiv Genc Sermaxhaj.

Njëri prej trajnerëve më të suksesshëm kosovar, Ajet Shosholli, thotë që ndeshjet e kupës në të gjitha shtetet janë të paparashikueshme, prandaj e njëjta mund të ndodh edhe te ne në Kosovë.

“Ndeshjet për kupë, gjithmonë, jo vetëm te ne, por edhe në të gjitha ligat e tjera janë shumë interesante dhe të paparashikueshme. Jo rrallë herë ndodhë që ekipi i një kategorie më të ulët e eliminon një ekip më cilësor të kategorisë më të lartë. Prandaj kjo mund të ndodhë edhe te ne”, ka thënë fillimisht Shosholli për Kallxo.com.

Për ndeshjen Ferizaj-Feronikeli, Ajet Shosholli thotë se favorit janë mysafirë, për shkak të cilësisë dhe përgatitjeve të tyre. Ai po ashtu mendon edhe për ndeshjen Kika – Ballkani, i cili mendon se cilësia qëndron në anën e skuadrës nga Suhareka.

“Konkretisht për ndeshjet e së shtunës, Ferizaj – Feronikeli, mendoj që Feronikeli do të jetë në përparësi të vogël, pasi që i ka bërë disa përforcime dhe ka filluar përgatitjet me kohë dhe cilësia është në anën e tyre.  Kika – Ballkani, mendoj që ekipi i Ballkanit do të kualifikohet karshi Kikës, e cila e ka përparësinë e terrenit vendor, por mendoj që do të vendos cilësia e cila është në anën e Ballkanit”, potencon ai.

Ndërkaq, për ndeshjen Vëllaznimi – Drita, ish-trajneri Shosholli e sheh mundësinë që në këtë ndeshje të triumfojnë gjakovarët, për shkak të terrenit si vendas dhe traditës në garat e kupës.

Për të ndeshja më interesante e çerekfinale të Kupës së Kosovës, pritet të jetë ajo ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës ’89, ai ka thënë se cilësia është në anën e kryeqytetasve për këtë ndeshje.

“Vëllaznimi – Drita, Vëllaznimi e ka tifozërinë dhe terrenin vendor si aleatë, por edhe një traditë që në garat e kupës shkon mjaft lartë, lehtë mund të triumfojë ndaj Dritës apo kampionit në fuqi. Natyrisht se dueli më interesant do të jetë ai në Prishtinë, ku ndeshen dy ekipe që vitet e fundit kanë fituar trofe. Cilësia është në anën e Prishtinës, por befasitë janë gjithmonë të mundshme”, ka theksuar Shosholli.

Ajet Shosholli

Edhe për ish-futbollistin dhe analistin sportiv, Genc Sermaxhaj, ndeshjet e kupës çdo herë na sjellin befasi. Por, sipas tij, në këtë raund garash nuk pritet të ketë befasi, pasi për të katër ekipe janë superfavorite.

“Ndeshjet e kupës çdo herë sjellin befasi, por kësaj here nuk besoj se mund të ndodh diçka e tillë, sepse kemi katër ekipe superfavorite. Drita, Prishtina, Feronikeli, dhe Ballkani janë me superioritet cilësorë ndaj kundërshtarëve të tyre siç janë Ferizaj, Kika, Vllaznimi dhe Trepça 89’”, thotë Sermaxhaj për KALLXO.com.

Sermaxhaj thotë se ndeshja kryesore pritet të jetë ajo ndërmjet Vëllaznimit dhe Dritës, duke i favorizuar gjilanasit në këtë ndeshje për të kaluar në raundin tjetër.

“Me gjasë do të kemi gjysmëfinale me ekipe të mëdha që do ta bëjnë më interesante këtë garë. Gjithsesi këto ndeshje kanë rëndësinë e veçantë, ku gjithçka mund të ndodh. Kryendeshja e këtij raundi padyshim është Vëllaznimi-Drita, por nuk dyshoj aspak në cilësinë e futbollistëve të Dritës”, thotë Sermaxhaj për mediumin tonë.

Genci favorit për të kaluar i sheh edhe Ballkanin, i cili përballet me Kikën, Prishtinën e cila përballet me Trepçën ’89 dhe Feronikelin ndaj Ferizajt.

“Ferizaj i koncentruar më shumë në mbijetesë, për kupë nuk ka synime serioze, e po ashtu edhe Kika e cila do bëjë përpjekje që të sigurojë edhe për një vit Ligën e pParë. Prishtina do të jetë shumë e fortë ndaj Trepçës 89’ ashtu siç do të jetë edhe Feronikelit ndaj Ferizajt. Pa dyshim favoritët do ta kalojnë në gjysmëfinale”, tregon Sermaxhaj.

Genc Sermaxhaj, analist sportiv

Të gjitha ndeshjet luhen në termin të njëjtë, prej orës 13:00.