Serbia eksportuesi më i madh i lëngjeve në Kosovë?

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2016 dhe 2017 janë importuar 6.1 milionë litra lëngje frutash të cilat kanë kushtuar 6.3 milionë euro.

Brenda vitit 2016 brenda kufijve të Kosovës kanë hyrë 3 milionë litra lëngje frutash njëjtë sikurse edhe në vitin 2017. Lëngjet e importuara në vitin 2016 kanë pasur një vlerë prej 3 milionë euro kurse ato të importuara gjatë vitit 2017 kanë kushtuar 3.2 milionë euro.

Serbia prinë në listën e pesë vendeve prej nga Kosova ka importuar lëngje frutash në vitin 2016. Prej fqinjit verior janë importuar 661 mijë litra lëngje me një vlerë prej 496 mijë euro.

Në vendin e dytë është shtetit tjetër fqinj i Kosovës, Maqedonia, nga i cili janë importuar 595 mijë litra lëngje frutash që kanë kushtuar 516 mijë euro. E treta në listë është Austria nga e cila në Kosovë kanë hyrë 576.5 mijë litra lëngje frutash me një vlerë prej 478 mijë euro.

E parafundit prej pesë vendeve nga të cilat Kosova importon më së shumti lëngje frutash është Sllovenia. Sipas statistikave të Doganës së Kosovës nga Sllovenia brenda kufijve kanë hyrë 495 mijë litra lëngje me vlerë prej 604 mijë euro.

Top pesëshen e përmbyllë Turqia nga e cila importohen në Kosovë 288 mijë litra lëngje frutash të cilat kanë kushtuar 191 mijë euro.

Edhe në vitin 2017, lista prej pesë vendeve nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti lëngje frutash ka mbetur e pandryshuar. Serbia e ka kryesuar listën me vendet nga ku janë importuar më së shumti lëngje frutash. Nga Serbia janë importuar rreth 35 mijë litra lëngje më pak se në vitin 2016, gjithsej 626 mijë litra, të cilat kanë kushtuar 552 mijë euro.

Përsëri edhe në vitin 2017, Maqedonia është radhitur e dyta me 510 mijë litra të importuara në Kosovë, rreth 85 mijë litra lëngje frutash më pak se në vitin 2016. Edhe në vitin 2017, Austria e ka ruajtur vendin e tretë sa i përket importit të lëngjeve të frutave. Kosova ka importuar 492 mijë litra nga Austria me një vlerë prej 404 mijë euro. Për dallim nga vitit 2016, nga Austria gjatë vitit 2017 brenda kufijve të Kosovës janë importuar rreth 84 mijë litra më pak litra lëngje frutash.

E katërta në listë është radhitur Sllovenia me 459 mijë litra lëngje me një vlerë prej 583 mijë eurove dhe e fundit në listën prej pesë vendeve është përsëri Turqia nga e cila brenda kufijve të Kosovës gjatë vitit 2017 janë importuar 357 mijë litra lëngje frutash që kanë kushtuar 231 mijë euro.

As në vitin 2016 e as në vitin 2017, Shqipëria nuk është e radhitur as në dhjetëshen e vendeve prej të cilave Kosova importon më së shumti lëngje të frutave.

Në listën prej 22 vendeve, Shqipëria në vitin 2016 ka lënë prapa vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajlandën duke importuar vetëm 403 litra lëngje të frutave në Kosovë.

Kurse në vitin 2017, në listën prej 26 vendeve, Shqipëria nga Shqipëria janë importuar 806 litra duke lënë prapa vetëm pesë shtete, Emiratet e Bashkuara me 775 litra të importuara, Shtetet e Bashkuara me 326 litra, Ukraina me 185 litra, Belgjika me 81 litra dhe e fundit Tajlanda me 38 litra lëngje frutash të importuara nga Kosova. Përpara Shqipërisë janë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si Qipro, Bosnje dhe Hercegovina, Izraeli, Spanja dhe Greqia.

Lëngu është një pije e bërë nga nxjerrja ose shtypja e lëngut natyror që gjendet në fruta dhe perime. Lëngu u shfaq si një zgjedhje e pijeve popullore pasi zhvillimi i metodave të pasterizimit mundësoi ruajtjen e saj pa përdorur fermentimin (që përdoret në prodhimin e verës).

Konsumatorët më të mëdhenj të lëngut të frutave janë Zelanda e Re, gati një filxhan çdo ditë dhe Kolumbia, më shumë se tre të katërtat e një filxhani çdo ditë. Konsumi i lëngut të frutave rritet mesatarisht me nivelin e të ardhurave të vendit.