Ruairi O’Connell: Gjithmonë kam ëndërruar që të sjellë ragbin në Kosovë (Foto)

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, njëherit edhe president i Federatës së Ragbit në Kosovë, ka treguar për KALLXO.com, se çka e ka shtyrë që ta sjellë ragbin në Kosovë.

Ai ka treguar se ka luajtur ragbi prej moshës 8 –vjeçare dhe  dhe ëndërr e tij ka qenë që ta sjellë këtë sport në Kosovë.

“Rugby është një sport unik dhe përshtatet në mënyrë unike në Kosovë. Kërkon aftësi, shpejtësi dhe fizikalitet por më rëndësishmja, kërkon përkushtim, diciplinë dhe respekt. Unë kam luajtur Rugby prej se kam qenë 8 vjeç dhe gjithmonë kam ëndërruar ta sjell këtë sport në Kosovë. Por shtytja e fundit ishte që fëmijët e mi dëshironin të luajnë Rugby. Për shkak të tyre ne filluam ti trajnojmë fëmijët në mars. Tash pasi kemi mbi 80 persona të regjistruar në ‘Bear Cubs’ në Prishtinë dhe dy grupe të tjera do të nisin në Fushë Kosovë dhe Gjakovë”, ka treguar presidenti i Federatës së Ragbit, për Kallxo.com

Ai gjithashtu ka treguar se dëshirojnë që në të ardhmen ta rrisin numrin e lojtarëve, të mbështesin ekipin e femrave, që pritet të garojnë në ligën regjionale.

“Sporti ka vend për lojtarë të ndryshëm. Shtylla ka nevojë për fuqi fizike. Lidhësi i jashtëm ka nevojë për aftësi. Anësori ka nevojë për shpejtësi. Pra, loja ka vende për të gjithë llojet. Çfarë i sjell së bashku është ndjenja ekipore, përkushtimi dhe dedikimi. Ky sport është shumë i sinqertë gjithashtu, kontakti fizik e kërkon një gjë të tillë. Këtë vit ne dëshirojmë ta rrisim numrin e lojtarëve, të zhvillojmë trajnerë lokalë, të shohim nëse mund ta mbajmë një kampionat të burrave dhe të mbështesim ekipin e grave për të garuar në rajon, po ashtu të bëjmë që sa më shumë fëmijë të fillojnë udhëtimin e tyre në Rugby,”, ka thënë ai.

Kurse Bronëwyn Jones, drejtoresh për media në Federatën e Ragbit në Kosovë dhe kapiteni e klubit të femrave Balkan Lynx, ka treguar se sa ekipe të ragbit janë në Kosovë në kategorinë e femrave dhe të djemve dhe për çfarë është nominuar klubi i saj nga organizata Rihno Grass Roots Rugby.

“Në Kosovë ekipe aktive për momentin janë në grupin e femrave është vetëm Balkan Lynx, ndërsa në grupin e meshkujve është Peja Eagles, Bears Rugby Football Club, Roosters RFC, kurse në kategorinë e fëmijëve janë Bears Clubs dhe Gjakova Dragons. Balkan Lynx, janë nominuar  në top katër klubet të cilat priten të fitojnë çmime për zhvillimin dhe promovimin e Ragbit përmes organizatës Rhino Grass Roots Rugby. Në këtë aspekt Balkan Lynx është nominuar në grupin prej katër ekipeve për këtë çmim, domethënë për promovimin e sportit, për promovimin e femrave në sport, dhe po ashtu së shpejti do të kem ndihma prej shkollës së ragbit në Japoni”, ka treguar Jones për Kallxo.com.

Ajo po ashtu tregoi se sa e lehtë është që femrat të inkuadrohen në këtë sport dhe çfarë të mira i sjellë ragbi.  Sipas saj, lojtarëve të reja u jepet mundësi që të fitojnë bursa në vende si Amerike e Angli, ku është më i zhvilluar sporti i Ragbit.

“Mundësia e femrave që të inkuadrohen në këtë sport është shumë e lehtë, pasi nuk kërkohet diçka e madhe. Arsyeja se përse femrat duhet t’i bashkohen këtij sporti është që krijon sensin e unitetit e rrit vetëbesimin ia rrit pasionin dhe nevojën për tu zhvilluar dhe për të punuar në ekip. Në këtë sport ka një sens të unitetit shumë të madh dhe është një mënyrë e jetesës që nuk e përfshin vetëm tri herë në javë ushtrimet që i bëjmë së bashku, por edhe kohën që e kalojmë së bashku jashtë sportit. Mundësi tjetër e mirë është që të përfshihen edhe të fitojnë bursa në vendet tjera, si në Amerikë, Angli”, ka treguar ajo.

Kapitenja e klubit Balkan Lynx, ka treguar se synim e kanë që në vitin e ardhshëm të marrin pjesë në ligën regjionale, ku do të luajnë në vende të ndryshme të Europës.

“Qëllimi i jonë është afrimi i lojtareve të reja tek klubi i femrave, pasi vitin tjetër do të marrim pjesë në ligën regjionale, do të luajmë në Kroaci, Bosnje Hercegovinë, Bullgari, Itali, Greqi, Slloveni. Po ashtu na nevojitet gjetja e sponsorëve për financimin e këtyre udhëtimeve dhe pjesëmarrjes në to”, thekson Bronwyn Jones.

Shpëtim Shujaku, zqdhënës për media në Federatën e Ragbit dhe lojtar në klubin Bears Rugby Football Club, ka treguar për çfarë arsye ka filluar të mirret me ragbi.

“ Unë kam filluar me u marrë me sportin e ragbit në muajin maj të vitit 2018-të për herë të parë, kur është është themeluar edhe zyrtarisht ekipi Bears Rugby Footbal Club.  Arsyeja se pse unë iu kam bashkuar këtij ekipi të ragbit është se më ka zgjuar kureshtje shumë si sport shumë interesante dhe atraktiv dhe të njejtën kohë kam dashur të jem aktiv fizikisht. Arsye tjetër ka qenë që ka lojtar shumë të ndryshëm në ekipin tonë, ka të huaj dhe ka vendor. Më e mira e ragbit është se ka shumë respekt, mes zyrtarëve apo referve, çfarë do që ndodh në fushë mbetet në fushë, pastaj shkojmë pijmë birra së bashku”, ka treguar Shpëtim Shujaku për Kallxo.com.

Ai ka treguar se trajnerin e kanë nga Irlanda i cili është edhe president i klubit, dhe synimi i tyre është që një ditë të marrin pjesë në liga kombëtare.

“Trajnerin e kemi irlandez, ai është edhe president i klubit, ne jemi duke u rritur vazhdimisht, në muajin dhjetor e kemi pasur lojën e parë ndërkombëtare ne Shkup, edhe kemi fituar e kemi marrrë kupën dhe medalje, kjo na shtyn edhe ma shumë që me e zhvillu sportin e ragbit në Kosovë, që me marrë pjesë edhe në liga kombëtare”, thekson ai.

Saranda Rexha, lojtare e Balkan Lynx, se çka e ka shty që me qenë pjesë e ekipit të ragbit.

“Sportin e kam pasion, jam vrapuese pasiononte, edhe për arsye se atletika është një sport individual, ajo ndenjenja për me lujt në grup um ka shty që me qenë pjesë e ekipit Balkan Lynx, i cili mka pelqy si sport, pasi është sport strategjik edhe krijohet disiplina brenda grupit”, ka treguar ajo për Kallxo.com.

Rexha ka zbuluar se tashmë ka arritur të krijoj një shkollë të ragbit në Gjakovë, ku fëmijët mund të stërvitën pa pagesë prej moshës 4- deri në 14 vjeçare.

“Duke qenë pjesë e një OJQ-je në Gjakovë, më ka shtyer që me e themelu edhe ekipin e ragbit në Gjakovë, Gjakova Dragons është klub për fëmijë, ku për një kohë të shkurtër sa është themeluar kemi rreth 50 nxënës, që janë pjesë e stërvitjeve të ndara në dy grupe, ku zakonisht vajzat vullnetare të grupit bashkë me trajnerin vijnë njëherë në javë dhe i ushtrojmë fëmijët, këto të gjitha ofrohen pa pagesë për fëmijët, prej moshës 4 vjeçare deri në 14 vite.Për një kohë të shkurtër fëmijët e Gjakova Dragons, kanë arritur të marrin pjesë në turnirin e parë që është mbajtur në Prishtinë. Ka qenë interesante edhe për fëmijët e klubit Gjakova Dragons, në ditën e parë para se me ardhë e kanë shikuar në Youtube”, shpjegon ajo.

Federata e Ragbit në Kosovë është formuar me 12 shtator.

Zakonisht loja e Ragbit me rregulla të përgjithshme luhet me 15 lojtar, si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt, mirëpo Balkan Lynx, luan në formatin e shtatqëve, që është formë olimpike, luhet në fushën e njëjtë, sikur te 15 lojtar, mirëpo ndryshojnë rregullat, shtatë minuta një pjesë, një minutë pushim dhe shtatë minuta pjesa tjetër, kurse me 15 lojtar luhet 40 minuta një pjesë 15 minuta pushim, 40 minuta tjera pjesa e dytë.