Nesër ndeshja ndërmjet liderëve të Ipko Superligës

Java e tetë e Ipko Superligës së Kosovës do të sjellë njërën prej ndeshjeve më interesante të këtij sezoni.

FC Llapi – KF Feronikeli do të jetë përballja e dy të parëve të elitës së futbollit të Kosovës.

Feronikeli pas shtatë xhirove radhitet i pari me 17 pikë, ndërsa në vendin e dytë renditet Llapi me një pikë më pak.

Prandaj, dueli i nesërm, që nis nga ora 15:30 do ta përcaktojë të parin e Superligës për së paku edhe një xhiro.

Skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli do të futet në lojë për fitore.

Këtë e ka konfirmuar vet trajneri i Llapit për KALLXO.com.

“Ne në çdo ndeshje luajmë për fitore, edhe në këtë ndeshje do të luajmë për fitore”, ka thënë trajneri i bardhekaltërve.

Vendasit në këtë ndeshje do të paraqiten pa tre lojtarët kryesorë, pasi Ahmet Jonuzi, Shen Kelmendi dhe Mentor Zhdrella do të mungojnë sigurt, ndërsa Gentrit Begolli është në dyshime për ndeshjen e nesërme. Lojtarët që priten t’i zëvendësojnë këta të fundit janë Alban Rexhepi dhe Arbnor Ramadani.

“E kemi një ndeshje shumë të vështirë. E vështirë është sepse po na mungojnë lojtarët kyçë. Na mungon Shen Kelmendi, Mentor Zhdrella, Ahmet Jonuzi, kurse gjatë javës ka qenë i sëmurë prej fytit Gentrit Begolli. Kjo është vështirësia e jonë më e madhe.  Sigurisht nuk do të paraqiten Ahmet Jonuzi, Shen Kelmendi dhe Mentor Zhdrella. Ky është hendikep për neve dhe do të mundohemi të japim maksimumin. Zëvendësues të tyre janë Alban Rexhepi, Arbnor Ramadani”, shpjegon Bylbyl Sokoli për gjendjen e skuadrës së tij që do të paraqitet nesër ndaj Feronikelit.

Sipas Sokolit, në sulm do të jetë sulmuesi Festim Alidema, i cili është në top formë. Në dy ndeshjet e fundit Alidema ka shënuar katër gola.

Gjithashtu, trajneri i LLapit  është optimist se nesër djelmoshat e tij do ta japin maksimumin.

“Rezultatin nuk mund ta parashikoj për arsye të mungesave. Po të ishim të kompletuar si ekip me siguri se do të kishim qenë favorit. Do të hyjmë në takim të motivuar për fitore”, shtoi Sokoli për KALLXO.com.

Ndërsa, skuadra nga Drenasi nuk ka dyshim se do ta mbajë vendin e parë.

Në një prononcim për KALLXO.com, kapiteni i KF Ferronikeli, Lapidar Lladrovci, tha se janë të gatshëm për ndeshjen me Llapin.

“Për fat të mirë, nuk kemi ndonjë problem me lëndime dhe udhëtojmë të kompletuar drejt Podujevës. Në çdo ndeshje shkojmë për 3 pikë, pa e nënvlerësuar kundërshtarin”, tha Lladrovci.

“Sa i përket rezultatit do ta tregojë fusha, ndërsa ne nuk kemi fare presion pasi kemi ecuri dhe ndeshje shumë të mira në javët e fundit. Besoj shumë në fitoren e ekipit tonë”, shtoi ai.