Malishevë, përurohet stadiumi 'Liman Gegaj' - FOTO

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka bërë sot përurimin e Stadiumit të Malishevës.

“Është moment i veçantë për mua, për Qeverinë e Republikës së Kosovës por edhe për Komunën e Malishvës dhe qytetarët e saj që më në fund po e realizojmë një ëndërr të kamotshme të të gjithë sportistëve e sportdashësve që edhe Malisheva të ketë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive, përkatësisht realizimin e sportit të futbollit”, u shpreh Ministri, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Ministri Gashi tutje ka thënë se në Komunën e Malishevës do të ketë edhe investimet tjera që do të realizohen në fushën e sportit me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës sportive.

“Ministria e Sportit vitin e ardhshëm do të  filloj punimet për ndërtimin e pishinës gjysmë olimpike në Komunën e Malishevës, marr për shkas që kjo komunë njihet për traditën që ka në këtë lëmi sportive”, ka thënë ministri Gashi.

Gashi gjithashtu ka përmendur se sportistët janë ata që e bëjnë vendin ton krenar me sukseset e tyre që po i arrijnë jashtë vendit.

“Sportistët tanë po vazhdojnë të na bëjnë krenar, përveç sukseseve në vend, Kosovës i sollën medalje edhe nga garat ndërkombëtare pra sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës dhe ne si Ministri e Sportit jemi të përkushtuar ta mbështesim fuqishëm sportin në vendin tonë”, shtoi ai.

Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka falënderuar ministrin Gashi për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën që ofron për Komunën e Malishevës.

“Ky stadium për Malishevën është jashtëzakonisht i nevojshëm dhe i mirëpritur, sidomos për futbollistët, sepse ata do të kenë një vend ku do të garojnë dhe zhvillohen më tutje në sportin e futbollit” ka thënë, Ragip Beqaj në ceremoninë e  promovimit të stadiumit në Malishevë.