Arbër Tolaj, ortoped - Foto: KALLXO.com

Frakturat e eshtrave te fëmijët dhe trajtimi

Gjatë lojës apo aktiviteteve sportive fëmijët ndodh që të lëndohen dhe të pësojnë ndonjë thyerje të eshtrave.

Sipas ortopedit Arbër Tolaj, te fëmijët lëndimet më të shpeshta përfshijnë ekstremitetet e poshtme dhe të sipërme të trupit,  pra duart dhe këmbët.

“Te fëmijët është karakteristikë që përmes zonave të rritjes që i quajmë epifiza zgjaten kockat deri në mbylljen e tyre e kjo ndodhë në moshën 18 vjeçare. Ndërsa sa i përket pjesëve të ekstremiteteve që janë më tepër të atakuara janë zonat e rritjes përfshirë regjionin e bërrylit, regjionin e gjurit, të kërdhokullës dhe nyjës së zogut të shputës. Zakonisht trajtimi fillon duke bërë shikimin e vendit të lënduar pastaj bëhet imobilizimi që të eliminohet sa më parë dhimbja e mundshme. Diagnostikimi pastaj vazhdon edhe me rëntgen dhe kështu vlerësohet se ai lëndim i asaj pjese varësisht nga dislokimi i asaj pjese duhet të trajtohet në mënyrë konzervative apo në mënyrë operative ku bëhet fiksimi i pjesës së lënduar. Këtë vlerësim e japin ekipi mjekësor të cilët vetëm e kanë bërë evaluimin e rastit”, tha Tolaj.

Sipas doktorit, thyerjet e ekstremiteteve të sipërme janë më lehtë të trajtueshme për shkak se fëmija mund të lëviz dhe ndërkohë ta mbajë dorën të imobilizuar. Ndërsa pjesa e ekstremiteteve të poshtme te fëmijët trajtohen më vështirë për shkak se kërkohet disiplinë e madhe.

“Në këto raste duhet vërtetë të merret parasysh që edhe prindërit ta përgatitin fëmijën që duhet të ketë pak durim në mbajtjen e imobilizimit, sepse varësisht prej mbajtjes së saj që në gjuhën popullore i themi gipsi, varësisht prej nivelit të thyerjes mbahet katër, gjashtë apo tetë javë”, tha ai.

Dr. Tolaj thotë se në tri javët e para bëhet një lloj shërimi primar, i cili duhet të vazhdojë me pjesën tjetër që është shumë e rëndësishme, pra me fazën e shërimit sekondar për t`u siguruar që është ngjitur mirë pjesa e thyer.

“Në qoftë se te fëmijët përveç potencialit të lartë biologjik që e ka ndodhin disa lëndime të njëpasnjëshme shkaktohet një thyerje bëhet shërimi, fëmija vazhdon jetën normale. Por këtu duhet pasur parasysh që edhe pas shërimit muskujt e regjionit të kofshës dobësohen për shkak të inaktivitetit. Është e nevojshme edhe rehabilitimi fizioterapeutik për rritjen e masës muskulore. Është me rëndësi që me një fazë të caktuar fëmijës i lejohet shkelja e pjesërishme me ndihmën e kukëzave me një periudhë të caktuar kohore dhe e cila në të njëjtën kohë bëhet pa dhimbje por që në mënyrë sekondare ndikon edhe në konsolidimin kockor”, tregon ortopedi Tolaj për KALLXO.com.

Tolaj thotë se është një kategori e fëmijëve që janë më të prirë të kenë fraktura për çka me ata duhet pasur kujdes më të madh.

“Te fëmijët që kanë çrregullime të lindura të kockave të cilave u nevojitet një forcë më e vogël e veprimit që të shkaktohet një thyerje apo frakturë se sa te fëmijët që kanë struktura normale kockore. Këtu e kisha quajtur një anomali osteogjeneza imperfekte. Pastaj format e femurit, anomalitë e tjera të rritjes së zonave prandaj te disa kategori të caktuara ekziston rezistenca më e vogël kockore”, tha për KALLXO.com, dr. Arbër Tolaj.