Arbër Tolaj - kandidat i AAK-së për kryetar të Pejës

Ish-deputeti Arbër Tolaj është zgjedhur kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Komunës së Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Haradinaj bëri të ditur se nën udhëheqjen e u.d. të kryetarit të Feim Ademaj është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues të degës, në të cilën është zgjedhur Tolaj kandidat për kryetar në zgjedhjet lokale të këtij viti.

“Dr. Arbër Tolaj i lindur e i rritur në Pejë, me karrierë të suksesshme në sektorin e shëndetësisë, ka qenë deputet i Aleancës dhe anëtar në Kryesinë qendrore të saj. Emërimi i tij, me një unitet të paparë më herët në radhët e strukturave, të cilat u besatuan në përkrahje të parezervë ndaj tij, kthen shpresën se Peja do të ketë një udhëheqje që e meriton”, ka shkruar Haradinaj.

Më herët, Arbër Grabovci ishte zgjedhur kandidat për kryetar të Pejës nga radhët e AAK-së, por para dy ditësh ai është tërhequr nga kjo kandidaturë për arsye personale.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës tërhiqet nga gara