Aksidenti në Deçan - Foto: KALLXO.com

Gjendja e kandidatit për deputet që u aksidentua mbrëmë në Deçan

Në mesin e tetë të lënduarve nga aksidenti i mbrëmshëm në Deçan është edhe kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj.

Për gjendjen e tij shëndetësore, ai ka njoftuar përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.

Tolaj ka deklaruar se është mirë me shëndet dhe do t’i kthehet angazhimeve ditore.

“Duke pas parasysh se nga raportimet e mediave lidhur me një aksident që kemi pësuar mbrëmë, shumë nga ju jeni shqetësuar, ua bëj me dije se falë Zotit, unë jam mirë me shëndet dhe pa ndonjë pasojë. Ndaj si rrjedhojë do të jem në nivel të angazhimeve të përditshme”, ka shkruar kandidati për deputet.

Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Deçan, 8 persona kanë pësuar lëndime trupore.

Tre nga të lënduarit janë në gjendje më të rëndë.