Dardan Molliqaj (PSD), Glauk Konjufca (VV).

Molliqaj paralajmëron 'çeljen' e letrave, Konjufca e krahason me Hashim Thaçin

Dy bashkëpartiakë të dikurshëm, shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, dhe deputeti i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, kanë replikuar mes vete përderisa po mbahej debati për propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërgutit.

Sipas Dardan Molliqat, në bazë të procedurave është në rregull diskutimi për shkarkimin e Aida Dërgutit, ndërsa politikisht sipas Molliqajt më mirë do të ishte që çështjet që kanë qenë problem i brendshëm i LVV të merren vesh mes LVV-së dhe PSD-së.

Molliqaj ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që t’i respektojë rregullat.

“Meqenëse VV po thotë se është demorkatike, është institucionale, e ne të tjerët nuk jemi, unë e ftoj VV-në le t’i respektojnë rregullat. Vendi është ky, Kuvendi. Nëse nuk e voton Kuvendi, çojeni në Kushtetuese. Nëse Kushtetuesja ju jep të drejtë, keni të drejtë, nëse s’është kështu, leni lojërat sepse nuk është fer me anatemu njerëz si Aidën e si të tjerët të cilët i keni pasë për 12 vjet shokë”, tha Molliqaj.

Glauk Konjufca me ironi tha se fjalimi Dardan Molliqajt po ngjajnë me disa fjalime të Presidentit Thaçi të viteve të kaluara.

“Me thënë të drejtën krejt paskam harru qysh tingëllon Hashim Thaçi në Kuvend sepse nuk ka qenë këto për disa vite me atë stilin “Albin për ty kam diçka por mos më shtin me ta thanë se me ba mi shku deri në fund ki me pa ti çka të gjen”. Moti më paska marrë malli me e dëgju një kësi diskursi qesharak. Unë mendoj që kjo foltore nuk është fort adekuate që njerëzit m’i shpalosë traumat e tyre prej debateve që i kanë pasë, në kuptimin që kjo foltore e ka një dinjitet shumë më të madh”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi i kaloi minutzhi i caktuar Konjufcës dhe ky i fundit kërkoi që të vazhdojë të flasë, kryetari i Kuvendit me ironi iu drejtua se nuk do t’ia vazhdojë minutazhën, sado që edhe deputetë nga koalicioni qeveritar kërkonin që Konjufca të vazhdojë.

“Jo se po kanë qejf me ju ngatërru’’, shtoi Veseli.

Pasi që i ishte përmendur emri, replika i kaloi prapë Dardan Molliqajt.

Ai shtoi se nuk i shërben askujt ndërsa, i propozoi Konjufcës të shërbejë pasi që, sipas tij, ka marrë rolin e shërbëtorit.

“Glauk po besoj që prapë do të shkoj në emision, e kam pësu një traumë, është e vërtetë në njeriun që kam besu më së shumti, më ka dëshpruar, sepse ka mashtru në emision. Po ta pranoj po e kam traumë të vetmin emision publik e kam prej teje prej njërit që e kom respektu e t’ kom marr për me dinjitet. Një shok i yti i ngushtë ka thanë Glauku është i mirë po pa dinjitet. Kjo është e vërteta që e ke kallxu në këtë betejë. Po more unë jam edhe si Hashimi edhe si Kadria edhe si Ramushi edhe si Albini, herë të njani herë të tjetri, por unë nuk i shërbej kurrkujt. A këtu ka, ja pate thënë njanit që je sahan lëpirës e unë nuk po të them ashtu por je ba shërbëtor, veç kryej shërbime. Sa i përket PDK-së, koha ka me tregu me kohë, ju veç e bonët një koalicion me PDK kundër Shpend Ahmetit, e ka me pas edhe koalicione të tjera”, tha Molliqaj.