Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Memli Krasniqi sheh 'dëshirë të flaktë të disave' për t'i parë drejtuesit e UÇK-së në Gjykatën Speciale

Pas lajmit se kryetari i PDK-së Kadri Veseli është ftuar nga Gjykata Speciale ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, duke thënë se ky lajm është përtej turpit.

Krasniqi përmes një postimi në Facebok ka thënë se “dëshira e flaktë e disave në Kosovë për t’i parë udhëheqësit e luftës çlirimtare në bankën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale është aq e madhe sa që ka mundësi që as zyrtarët e Serbisë s’mund të ju bëjnë konkurrencë në këtë dëshirë”.

“Turp, për besë. Përtej turpit! Por, edhe pse ajo ditë mund të vijë shpejt, mos keni dert se s’njolloset lufta e UÇK-së as prej asaj Gjykate, as prej dëshirave tuaja e as prej luftës speciale qe e keni nisur tash e sa kohë”, ka shkruar Krasniqi në postimin e tij në facebook.

Pasditen e sotme, disa media kanë raportuar se Veseli është ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Këtë lajm e ka demantuar vet Veseli, duke thënë se në rast se ftohet nga Gjykata Speciale, do të njoftoj për këtë.

“Haga është vend i bukur. Sot e uroj ditën e lirisë së shprehjes. Është margaritar i Beratit (Buzhalës), nuk është korrekte, nuk është e vërtetë se ka ndonjë intervistim. E kam thënë se do të publikoj njoftimin në rast se ftohem nga Gjykata Speciale”, ka thënë Veseli duke iu referuar medias në të cilën u publikua së pari lajmi për udhëtimin e tij në Hagë për t’u marrë në pyetje nga hetues të Prokurorisë së Specializuar, Gazeta Express.

Ai ka shtuar se tani është në një udhëtim jashtë vendit në Lubjanë.

“Nuk kam ftesë, jam në një udhëtim jashtë vendin në Lubjanë”, ka thënë Veseli, duke shtuar se në rast se i vije ftesa nga Gjykata Speciale do të njoftoj për atë.

“Kur të vinë këto ftesa do të bëhen transparente, publike. Unë i kam ftuar të gjithë bashkëluftëtarët të përgjigjen të jenë transparent, nuk kam ftesë nuk jam duke shkuar në Hagë as për vizitë as për Gjykatën Speciale”, ka thënë Veseli.

Lidhjen telefonike, Veseli e ka përfunduar duke thënë “ata që janë shqetësuar i dua shumë edhe ata që janë gëzuar i dua shumë”.