Kadri Veseli- Foto: Atdhe Mulla

Kadri Veseli: Nuk kam ftesë për të shkuar në Hagë

Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një lidhje telefonike për Televizionin Klan Kosova ka mohuar se ka pranuar ftesë nga Gjykata Speciale.

“Haga është vend i bukur. Sot e uroj ditën e lirisë së shprehjes. Është margaritar i Beratit (Buzhalës), nuk është korrekte, nuk është e vërtetë se ka ndonjë intervistim. E kam thënë se do të publikoj njoftimin në rast se ftohem nga Gjykata Speciale”, ka thënë Veseli duke iu referuar medias në të cilën u publikua së pari lajmi pvr udhëtimin e tij në Hagë për t’u marrë në pyetje nga hetues të Prokurorisë së Specializuar, Gazeta Express.

Ai ka shtuar se tani është në një udhëtim jashtë vendit në Lubjanë.

“Nuk kam ftesë, jam në një udhëtim jashtë vendin në Lubjanë”, ka thënë Veseli, duke shtuar se në rast se i vije ftesa nga Gjykata Speciale do të njoftoj për atë.

“Kur të vinë këto ftesa do të bëhen transparente, publike. Unë i kam ftuar të gjithë bashkëluftëtarët të përgjigjen të jenë transparent, nuk kam ftesë nuk jam duke shkuar në Hagë as për vizitë as për Gjykatën Speciale”, ka thënë Veseli.

Lidhjen telefonike, Veseli e ka përfunduar duke thënë “ata që janë shqetësuar i dua shumë edhe ata që janë gëzuar i dua shumë”.