Aksioni LVV-se - 13.02.2019 - KALLXO

LVV: Telekomi ‘hambar’ i punësimeve partiake

Lëvizja Vetëvendosje ka realizuar një aksion simbolik para Postës dhe Telekomit të Kosovës në Prishtinë.

Aktivistja e kësaj partie, Rina Zhitia tha se Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, Telekomin e kanë shndërruar hambar të punësimeve partiake.

“Në njërën anë kishim Telekomin si hambar për punësime të militantëve partiak dhe familjarëve të zyrtarëve të lartë, e në anën tjetër kemi pasur kontrata të dëmshme si ajo me Z- mobile  që dëmtonin Telekomin”, ka thënë ajo gjatë aksionit simbolik.

Sipas VV-së, Telekomi i Kosovës është bërë degë partiake për partitë në pushtet.

“PDK, AAK dhe Nisma, Telekomin e kanë shndërruar në degë të tyre partiake, ku rehatohen militantët dhe familjaret e tyre”, tha Zhitia.

“Ne sot në mënyrë simbolike po vendosim logot e këtyre partive në degën e tyre në Telekom”, tha ajo.

Aktivistja e LVV-së tha se kanë zbuluar skandalin e punësimeve partiake e familjare në Telekom. Për këtë ajo pati edhe dy kërkesa.

“Ne i bëjmë thirrje nga këtu Qeverisë që të zbatoj rezolutën, të nxjerr nga Kuvendi në korrik të vitit të kaluar, që thotë të kundërtën se çfarë po ndodhë këtu. Ne i bëjmë thirrje edhe Prokurorisë që të filloj hetimet për skandalin e punësimeve pa kriter”, përfundoi Zhitia.