Foto: Kallxo.com

LIVE - Katër të lënduar nga shpërthimi në Miradi të Epërme

Policia e Kosovës tha se katër persona janë lënduar nga shpërthimi që ndodhi rreth orës 14:00 në një depo derivatesh në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha për KALLXO.com se njësitet e policisë dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes sapo e kanë marrë informatën për këtë incident.

“Deri më tani raportohet për 4 persona të lënduar”, tha Borovci.

Ai tha se Policia ka nisur evakuimin e personelit nga rreziku i përhapjes së zjarrit.

“Duke parë rrethanat në vendin e ngjarjes si dhe mundësinë e përhapjes së rrezikut nga zjarri, Policia ka nisur evakuimin e personelit nga vendngjarja dhe varësisht nga rrjedha mund të bëhet edhe evakuimi i njerëzve nga një perimetër i caktuar që të shmangen pasojat eventuale”, tha Borovci.

KALLXO.com ka siguruar video pas momentit të shpërthimit.