Gjykimi ndaj zyrtarëve të komunës së Prizrenit për rrënimin në 'Abi Çarshi'

Zyrtarët e komunës së Prizrenit para gjyqit për rastin e rrënimit të objektit pa leje në 'Abi Çarshi'

Kryeinspektori i Prizrenit dhe 5 zyrtarë tjerë dolën para gjykatës, nën akuzat për rrënim të aneks objektit pa leje të “Abi Çarshisë”.

Seanca e sotme ndaj drejtorit të Inspektorateve në Prizren, Islam Thaqi dhe 5 zyrtarëve tjerë të Komunës së Prizrenit ka zgjatur vetëm 15 minuta.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të njëjtit kanë realizuar rrënimin e aneks-objektit “Abi Çarshia” me pronar Irfan Fusha.

Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari Irfan Fusha ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, prandaj “të akuzuarit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ dhe Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative”.

Ekskluzive: Për çka akuzohet kryeinspektori i Prizrenit lidhur rreth rrënimit e objektit pa leje të ‘Abi Çarshia’?

Seanca fillestare dështoi të mbahet në mungesë të të akuzuarës Egzona Morina- Thaçi, e cila sipas gjykatëses së rastit Kymete Kicaj, kishte pranuar ftesën, por mosardhjen e saj nuk e ka arsyetuar.

Gjykatësja Kicaj seancën e radhës e caktoi pas 6 ditësh, respektivisht me 20 Janar, ndërsa për të akuzuarën që ka munguar do të lëshoi urdhërarrest për sjelljen e saj nga Policia.

Në seancë ka qenë i pranishëm edhe pronari i Abi Çarshisë, Irfan Fusha bashkë me avokatin e tij Taulant Hodaj.

 

Foto Irfan Fusha.

Prokuroria në aktakuzën e saj thotë se dëmi që i është shkaktuar Irfan Fushës arrin shumën prej 69,729.66 euro.

Dosja e Prokurorisë: Shuma që ‘Abi Çarshia’ kërkon si dëmshpërblim për aneksin e objektit të rrënuar

Është dashur ndërhyrja e gjykatëses Kicaj në dy raste që prokurori i rastit Mehdi Sefa të mos përdorte telefonin e tij gjatë kësaj seance.

Foto- Prokurori Mehdi Sefa me telefon gjatë seancës

Bashkë me kryeinspektorin Islam Thaqi akuzohen edhe 5 zyrtarë tjerë: inspektorët e ndërtimtarisë Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit dhe Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor, që të gjithë akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar duke i shkaktuar dëm kompanisë “Abi Çarshia”.

KALLXO.com në korrik të këtij vitit pati publikuar hulumtimin për zhvillimet rreth qendrës tregtare “Abi Çarshia”, duke filluar nga privatizimi i tokës në vitin 2011, deri te marrja e lejes për ndërtim në vitin 2017, dhe rrënimi i aneks objektit pa leje me 19 Korrik të 2019-ës.

Komuna e pafuqishme karshi objektit pa leje te ‘Abi Çarshia’ – VIDEO

Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari Irfan Fusha ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, prandaj “të akuzuarit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ dhe Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative”.

“Andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet  e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç‘rast gjatë rrënimit ABI SH.P.K në Prizren i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokuroria në aktakuzë si të dëmtuar në këtë proces e ka cilësuar pronarin e “Abi Çarshia”, Irfan Fushën, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik ka rrënuar aneksin e objektin pa leje të qendrës  tregtare “ Abi Çarshia “.

Gjashtë ditë më vonë Prokuroria e Prizrenit kishte filluar hetimin ndaj zyrtarëve të Komunës, ndërsa po të njëjtën ditë Gjykata Themelore në Prizren kishte vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje të Abi Çarshisë.