Seanca gjyqësore ndaj Egzona Morina Thaçit në rastin "Abi Çarshia", Foto: KALLXO.com

Rrënimi i një pjese në objektin e “Abi Çarshia”, e akuzuara mohoi të ketë lëshuar vendim për rrënim

Gjykimi lidhur me rrënimin e një pjese të objektit të kompleksit “Abi Çarshia” në Prizren ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga ana e njërës nga të akuzuarit, Egzona Morina –Thaçi.

Të përfshirë në këtë rast nga Prokuroria janë edhe Islam Thaçi,  Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, të cilët në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Prizrenit pretendohet se kanë urdhëruar dhe zbatuar kundërligjshëm rrënimin e këtij objekti, i cili ishte ndërtuar pa leje.

Morina – Thaçi deklaroi se vendimi i vetëm i marrë nga ana e saj ishte përpilimi i një procesverbali, pasi që lënda më pas i kishte kaluar Jetmire Vrenezit, e cila kishte marrë vendim për rrënim të objektit.

“Pasi që është formuar procesverbali i datës 15 qershor 2019, ku investitori është informuar se do të pasojë konkluzioni për ekzekutim të dhunshëm, në momentin kur është mbajt takimi para nxjerrjes së konkluzionit për rrënim, përgjegjësia dhe kompetencat e lëndës nga ana ime kanë kaluar tek Jetmire Vrenezi”, deklaroi e akuzuara.

Sipas Morina – Thaçit,  pas kësaj, me datë 19 qershor 2019, kishte filluar rrënimi i objektit “Abi Çarshia” ku në vendngjarje ajo kishte qenë e pranishme vetëm deri në ora 16:00, pasi më pas nga Policia ishte ndaluar ky rrënim.

Ndërkaq, e njëjta përpara trupit gjykues mohoi të kishte pasur dijeni që investitori kishte aplikuar për legalizim, pasi sipas saj, lënda dhe përgjegjësia tashmë kishte kaluar tek Jetmire Vrenezi.

E njëjta gjatë gjithë gjykimit mbështeti deklaratën e saj të dhënë në Prokurori ku ndër të tjera thuhej se për shkak të paqartësive të shumta juridike lidhur me rastin në fjalë ajo kishte kërkuar disa herë këshilla juridike dhe e njëjta kishte deklaruar se nuk kishte lëshuar vendim për rrënim.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast do të vazhdojë më 7 mars 2022.

Sipas Prokurorisë, Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit; Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina Thaçi – inspektore të ndërtimit; Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj – zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit; Shqipëron Krasniqi – përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren, duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019.

Vazhdon rrënimi në objektin e ‘Abi Çarshia’ në Prizren

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë, konsiderohet 69 mijë e729 euro.