Pamje nga seanca e sotme - Foto: KALLXO.com

Dy nga gjashtë të akuzuarit për rrënimin e një pjese të kompleksit “Abi Çarshia” mbrohen në heshtje

Të akuzuarit Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zgjodhën të mos flasin dhe të mbrohen në heshtje në gjykimin ku ata po ngarkohen se kanë urdhëruar dhe zbatuar kundërligjshëm rrënimin  e një pjese të kompleksit “Abi Çarshia”.

Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj në këtë proces gjyqësor së bashku me Islam Thaçin, Jetmire Vrenezin, Egzona Morina –Thaçin dhe Shqipëron Krasniqin akuzohen se në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Prizrenit kanë urdhëruar dhe zbatuar kundërligjshëm rrënimin e këtij objekti i cili veçse kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Taraku dhe Bislimi  pasi u njoftuan me të drejtat e tyre nga kryetarja e trupit gjykues, Kymete Kicaj, deklaruan se do të mbrohen në heshtje.

“Do të mbrohem në heshtje”, tha fillimisht i akuzuari Taraku.

Pas tij, në sallë u ftua që të japë mbrojtjen edhe i akuzuari Isë Bislimaj, mirëpo, ai deklaroi se konform ligjit do ta shfrytëzojë të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje.

Ndërkaq, për seancën e radhës, më 8 prill 2022, mbrojtjen do ta vazhdojë i akuzuari i fundit Shqipëron Krasniqi.

Në seancat e kaluara, të mbajtura në Gjykatën e Prizrenit, mbrojtjen e kanë përfunduar ish-drejtori i Inspektoratit, Islam Thaçi si dhe dy ish inspektorët e ndërtimit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina – Thaçi.

Islam Thaçi gjatë marrjes në pyetje kishte deklaruar se pavarësisht faktit të aplikimit për legalizim të këtij objekti, ndërtimi i kundërligjshëm paraqet vepër penale.

“Po të mos ishin fazat inspektuese qindra objekte të mbetura në gjysmë që presin legalizim do t’i vazhdonin ndërtimet pa fund. Por, edhe vetë ligji e parasheh se pas aplikimit, pas shqyrtimit të kërkesës, ju duhet të pajiseni me pëlqim për vazhdimin e punimeve”, kishte deklaruar Thaçi.

Ndërkaq, ish-inspektorja Jetmire Vrenezi përpara trupit gjykues ka thënë se pasi rrënimi vullnetar i objektit nuk ishte bërë sipas afatit të paraparë, nga Drejtoria e Inspektorateve kishte pasuar konkluzioni për rrënim.

Mbrojtjen e ka përfunduar edhe Egzona Morina-Thaçi, e cila ka thënë se i vetmi vendim i marrë nga ana e saj ishte përpilimi i një procesverbali, pasi që lënda më pas i kishte kaluar Jetmire Vrenezit, e cila kishte marrë vendim për rrënim të objektit.

Sipas Prokurorisë, Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina -Thaçi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren, duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë konsiderohet 69 mijë e 729 euro.

Me këto veprime, të akuzuarit e lartcekur ngarkohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.