Abi Çarshia - Rrënimi i objektit - Korrik 2019

Ekskluzive: Për çka akuzohet kryeinspektori i Prizrenit lidhur rreth rrënimit e objektit pa leje të ‘Abi Çarshia’?

Ndaj Drejtorit të Inspektorateve në Prizren Islam Thaçi sot Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë lidhur me rrënimin e aneks objektit pa leje të kompleksit “ Abi Çarshia”:

Bashkë me kryeinspektorin akuzohen edhe 5 zyrtarë tjerë: inspektorët e ndërtimtarisë Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit dhe Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor, që të gjithë akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar duke i shkaktuar dëm kompanisë “Abi Çarshia”.

Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, të njëjtit kanë realizuar rrënimin e aneks-objektit “Abi Çarshia” me pronar Irfan Fusha.

Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari Irfan Fusha ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, prandaj “të akuzuarit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ dhe Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative”.

Tutje në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se zyrtarët e akuzuar kanë vepruar edhe në kundërshtim me vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me të cilin vendim janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal në Prizren.

Prokuroria pretendon se Ministria me këto vendime i ka obliguar organet Komunale të Prizrenit të veprojnë konform ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje si dhe udhëzimeve administrative në fuqi.

“Andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet  e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç‘rast gjatë rrënimit ABI SH.P.K në Prizren i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokuroria në aktakuzë si të dëmtuar në këtë proces e ka cilësuar pronarin e “Abi Çarshia”, Irfan Fushën, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik ka rrënuar aneksin e objektin pa leje të qendrës  tregtare “ Abi Çarshia “.

Gjashtë ditë më vonë Prokuroria e Prizrenit kishte filluar hetimin ndaj zyrtarëve të Komunës, ndërsa po të njëjtën ditë Gjykata Themelore në Prizren kishte vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje të Abi Çarshisë.