Drejt fundit gjykimi për rrënimin e një pjese të “Abi Çarshisë”

Shqipëron Krasniqi është ulur në bankën e të akuzuarit për t’u përballuar me aktakuzën e prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me Krasniqin të përfshirë në këtë rast janë edhe Jetmire Vrenezi, Islam Thaçi, Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj të cilët në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Prizrenit pretendohet se kanë urdhëruar dhe zbatuar kundërligjshëm rrënimin e një pjese të“Abi Çarshisë” në Prizren.

Krasniqi gjatë ditës së premte përpara trupit gjykues deklaroi se si përfaqësues ligjor i Komunës ka pasur kompetenca ta mbroj interesin e Komunës.

I njëjti mohoi se kishte marrë ndonjë veprim lidhur me objektin në fjalë ku shtoi se Arben Krasniqin e kishte njoftuar Drejtorin e Inspektorateve, Islam Thaçi për të dalë në terren ku me këtë rast, investitorit i kishte dërguar njoftimin mbi refuzimin e kërkesës për legalizim.

Më tej Krasniqi bëri të ditur se më 19 korrik 2019, si përfaqësues i Komunës së Prizrenit, ndonëse kishte qenë i angazhuar në një seancë gjyqësore, ai kishte shkuar në terren në objektin “Abi Çarshia”.

Në fund të gjykimit ai theksoi se të vetmin veprim që e kishte marrë ishte dërgimi i njoftimit për legalizim dhe këtë e kishte bërë pasi ishte udhëzuar.

Pas përfundimit të mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Shqipëron Krasniqi, procedura e provave u shpall e përfunduar.

Shqyrtimi i radhës për këtë rast u caktua për datën 29 prill 2022 ku do të pasojë me fjalën përfundimtare.

Në seancat e kaluara, të mbajtura në Gjykatën e Prizrenit, mbrojtjen e kanë përfunduar ish-drejtori i Inspektoratit, Islam Thaçi si dhe dy ish inspektorët e ndërtimit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina – Thaçi.

Islam Thaçi gjatë marrjes në pyetje kishte deklaruar se pavarësisht faktit të aplikimit për legalizim të këtij objekti, ndërtimi i kundërligjshëm paraqet vepër penale.

https://kallxo.com/lajm/rasti-abi-carshia-i-akuzuari-thaci-pavaresisht-aplikimit-per-legalizim-ndertimi-i-kunderligjshem-paraqet-veper-penale/

“Po të mos ishin fazat inspektuese qindra objekte të mbetura në gjysmë që presin legalizim do t’i vazhdonin ndërtimet pa fund. Por, edhe vetë ligji e parasheh se pas aplikimit, pas shqyrtimit të kërkesës, ju duhet të pajiseni me pëlqim për vazhdimin e punimeve”, kishte deklaruar Thaçi.

Ndërkaq, ish-inspektorja Jetmire Vrenezi përpara trupit gjykues ka thënë se pasi rrënimi vullnetar i objektit nuk ishte bërë sipas afatit të paraparë, nga Drejtoria e Inspektorateve kishte pasuar konkluzioni për rrënim.

https://kallxo.com/lajm/rrenimi-i-aneks-objektit-te-kompleksit-abi-carshia-e-akuzuara-vendimi-ka-qene-konform-ligjit/

Mbrojtjen e ka përfunduar edhe Egzona Morina-Thaçi, e cila ka thënë se i vetmi vendim i marrë nga ana e saj ishte përpilimi i një procesverbali, pasi që lënda më pas i kishte kaluar Jetmire Vrenezit, e cila kishte marrë vendim për rrënim të objektit. https://kallxo.com/ligji/rrenimi-i-nje-pjese-ne-objektin-e-abi-carshia-e-akuzuara-mohoi-te-kete-leshuar-vendim-per-rrenim/

Kurse, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zgjodhën të mos flasin dhe të mbrohen në heshtje lidhur me akuzat për të cilat ata po ngarkohen.

https://kallxo.com/lajm/dy-nga-gjashte-te-akuzuarit-per-rrenimin-e-nje-pjese-te-kompleksit-abi-carsha-mbrohen-ne-heshtje/

Sipas Prokurorisë, Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina -Thaçi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren, duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21korrik 2019.

https://kallxo.com/shkurt/vazhdon-rrenimi-ne-objektin-e-abi-carshia-ne-prizren/

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë konsiderohet 69 mijë e 729 euro.

Me këto veprime, të akuzuarit e lartcekur ngarkohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.