Zenun Elezaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zenun Elezaj do të rigjykohet për konflikt interesi

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen penale kundër kryetarit të Klinës Zenun Elezaj.

Elezaj ishte dënuar nga shkalla e parë për vepër penale konflikt interesi.

Elezaj ishte dënuar me 4000 mijë euro gjobë e po ashtu ishte shqiptuar ndalimi i ushtrimit të profesionit për dy vite.

Gjykata e shkallës së dytë ka anuluar këtë vendim me arsyetimin se vendimi është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Elezaj akuzohet nga Prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Trupi gjykues në këtë rast është udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Husaj- Rugova.

Sipas këtij vendimi, Elezaj duhet të  paguajë gjobën brenda 6 muajve. Lidhur me këtë vendim të gjitha palët kishin të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria e Pejës pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Në një opinion ligjor të AKK-së dhënë për Prokurorinë e Pejës thuhet se Kryetari i Komunës përjashtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes se tij ka interes personal apo financiar.