
Vëllai i Butës i akuzuar për vrasje, nuk e mohon veprën por nuk e pranon fajësinë
Qëndrim Jonuzi, i vëllai i rep-këngëtarit Buta, doli sot para gjykatës për t`u përballur me akuzat e prokurorisë për vrasjen e rëndë të ndodhur në Ferizaj në maj të vitit që lam pas.
Në shqyrtimin e parë, sot në Gjykatën e Ferizajt, i pandehuri Qëndrim Jonuzi u përball me akuzën e prokurorisë dhe rreth saj u deklarua se nuk e pranon cilësimin juridik të veprës nga ana e prokurorisë.
“Kërkoj falje dhe i shpreh ngushëllime familjes, unë nuk mund ta mohoj që e kam bo vrasjen por nuk pajtohem me cilësimin juridik siç pretendon prokuroria, sepse nuk ka pas as dashje as paramendim” – tha i akuzuari Qëndrim Jonuzi.
Një pranim i tillë, nga ana e gjykatës u konsiderua i pa-pranueshëm, prandaj edhe u udhëzuan palët për shfrytëzimin e afatit ligjor për kërkesë për hedhjen e akuzës dhe kundërshtimit të provave.
I akuzuari, gjithashtu nga prokuroria u akuzua edhe për veprën armëmbajtje pa leje, vepër për të cilën e pranoi fajësinë.
Aktakuzën prokuroria njofton se e ka ngritur kundër të pandehurit Qëndrim Jonuzi për veprën penale, vrasje e rëndë. Ku dyshohet se i njëjti ka vrarë tani të ndjerit G. H.
Sipas aktakuzës, më datë 28 maj 2022, rreth orës 00:53 në Ferizaj para hyrjes së marketit “E… M….”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje e ka privuar nga jeta të ndjerin G. H., duke shtënë 6 herë në drejtim të tij me armë zjarri.
Si motiv i vrasjes, prokuroria pretendon të ketë qenë mosmarrëveshja e mëhershme mes të pandehurit dhe të ndjerit, lidhur me një veturë të vëllait të të pandehurit – reperit Buta, ku i pandehuri pretendon se atë veturë e ka djegur tani i ndjeri.
I akuzuari Qëndrim Jonuzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të prokurorisë.
Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mos bindjes së urdhrave të tyre.
Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, e me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mos bindjes, e plagosën të dyshuarin Jonuzi.
Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet.