Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Vrasja në fabrikën e përpunimit të mishit, eksperti tregon shkaktarët e vdekjes

Në gjykimin për vrasjen e Armend Kutllovcit, për çka po gjykohen Flamur Trupaj e Fehmi Ferizi, sot në Gjykatën  e Prishtinës, ka dëshmuar eksperti i mjekësisë ligjore, Musa Gashi, i cili kishte bërë autopsinë e trupit të të ndjerit.

Dëshmitari tha se predha e plumbit ishte gjetur brenda rrobave të viktimës.

Sa i përket distancës së qitjes, Gashi tha se distanca e qitjes me armë zjarri ishte nga afërsia dhe se në trupin e tani të ndjerit ishte shkëputur një predhë e vetme.

Sipas ekspertit, shkaktar i vdekjes kanë qenë dëmtimet e shkaktuara në trupin e tani të ndjerit në zemër e mushkri, si pasojë e të cilave ai ka pasur gjakderdhje masive.

Më tej eksperti tha se “mund të konkludojmë se vdekja e tani të ndjerit ka qenë e shpejtë, kjo për faktin se janë dëmtuar rëndë organe vitale pa të cilat organizimi e ka të pamundur të mbijetojë”.

I pyetur nga prokurori i rastit, Armend Hamiti, se a ka qenë dëmtimi i organeve aq i rëndë sa edhe po t’i jepej ndihma aty për aty ai nuk do të mund të mbijetonte, eksperti u përgjigj se “edhe sikur të ishte vetëm dëmtimi i zemrës, mundësia e mbijetesës edhe pas dhënies së menjëhershme të ndihmës mjekësore është e pamundur”.

“Zemra si pompë e cila e shpien gjakun ne tërë organizmin me rastin e këtij dëmtimi ka pushuar së funksionuari”, tha Gashi.

Sot ishte paraparë të dëgjoheshin edhe disa dëshmitarë të cilët nuk kishin ardhur në Gjykatë edhe pse ishin ftuar në mënyrë të rregullt.

Prokuroria e Prishtinës pretendon se Flamur Trupaj e kishte vrarë me armën “TT”, Armend Kutllovcin.

Vrasja, sipas aktakuzës, ka ndodhur në hapësirën e deponimit të fabrikës së përpunimit të mishit “Apetit Group”.

Pas të shtënave, sipas Prokurorisë, i pandehuri kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Viktima kishte marrë plagë vdekjeprurëse dhe vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar i QKUK-së.

Me këtë, Flamur Trupaj akuzohet për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, i pandehuri tjetër Fehmi Ferizi akuzohet për manipulim me prova.

Sipas aktakuzës, ai kishte fshirë gjakun nga dyshemeja ku kishte ndodhur vrasja.

Vrasja ka ndodhur më 2018.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë prej kryetarit Lutfi Shala dhe anëtarëve Vesel Ismaili dhe Naime Krasniqi-Jashanica.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast.

Vrasja në fabrikën e përpunimit të mishit, eksperti: Viktima u qëllua nga afërsia

www.kallxo.com