Gjykimi për vrasjen e Armend Kutllovcit - Foto: KALLXO.com

Vrasja në fabrikën e përpunimit të mishit, eksperti: Viktima u qëllua nga afërsia

Në dëshminë e tij në gjykimin për vrasjen e Armend Kutllovcit, eksperti i balistikës, Lutfi Raci, tha se bazuar në raportin e autopsisë qitja nga arma është bërë nga afërsia.

Po ashtu, eksperti tha se arma e përdorur në rast ka qenë më poshtë se viktima.

Lutfi Raci ka dëshmuar sot në gjykimin për vrasjen e Armend Kutllovcit, vrasje që ka ndodhur më 2018, në fabrikën e përpunimit të mishit “Apetit Group”.

Për këtë rast po gjykohen Flamur Trupaj dhe Fehmi Ferizi.

Prokuroria e Prishtinës pretendon se Flamur Trupaj e kishte vrarë me armën TT Armend Kutllovcin.

Vrasja, sipas aktakuzës, ka ndodhur në hapësirën e deponimit të fabrikës së përpunimit të mishit “Apetit Group”.

Pas të shtënave, sipas Prokurorisë, i pandehuri kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Viktima kishte marrë plagë vdekjeprurëse dhe vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar i QKUK-së.

Me këtë, Flamur Trupaj akuzohet për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, i pandehuri tjetër Fehmi Ferizi akuzohet për manipulim me prova.

Sipas aktakuzës, ai kishte fshirë gjakun nga dyshemeja ku kishte ndodhur vrasja.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe V.V., i cili deklaroi se të akuzuarin Flamur Trupaj e njihte që më shumë se 20 vite dhe nuk kishte njohuri se ai kishte pasur konflikt me dikë dhe as se a mbante armë apo jo.

Seanca e radhës është caktuar për më 4 shtator.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga gjykatësit Lutfi Shala, Vesel Ismaili dhe Naime Krasniqi-Jashanica. Ndërsa prokuror i rastit është Armend Hamiti.