Foto: KALLXO.com

Vrasja në Deçan, familjarët: ‘Vrasja e Agonisit nuk ishte aksidentale’

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt në Deçan.

Albesa Cacaj, bashkëshortja e Agonis Tetajt, i vrarë më 23 shtator 2018, ka rrëfyer në Gjykatë se pas shikimit të video-incizimeve, ka kuptuar qe vrasja e bashkëshortit të saj ka qenë e qëllimshme e jo aksidentale.

“Kushdo që e sheh atë video që e ka Prokuroria, dhe ka ndershmëri dhe kredibilitet nuk mund të thotë se është vrasje aksidentale, por meqenëse është e qëllimshme duhet me marrë dënimin e merituar”, tha ajo sot në Gjykatën e Pejës.

Cacaj në dëshminë e saj tha se vetë kryetari i Komunës së Deçanit ka marrë guximin që të dalë publikisht me konstatimin “se vrasja e Agonis Tetajt është vrasje aksidentale”.

“Kryetari i Komunës ka marrë guximin me dalë e më thanë që është vrasje aksidentale, pa ia fillu hala Prokuroria hetimet”, tha ajo duke aluduar në ndikime të mundshme në këtë rast.

Albesa Cacaj shtoi se ata si familje kërkojnë nga organet e drejtësisë që të vërtetohet motivi i kësaj vrasjeje.

“Unë nuk e di se çfarë do u them fëmijëve të mi kur thonë pse është vra babi”, deklaroi ajo.

Dionis Tetaj, vëllai i të ndjerit, tha se sipas tij arsyeja pse ka ardhur deri të vrasja është telefonata e të akuzuarit pak sekonda para vrasjes.

“Senet që i ka bo i akuzuari edhe në jetën e përditshme, provokimet që i ka bo, ky duhet me tregu pse e ka bo këtë punë. Janë tre minuta: e ndal telefonin, e merr armën dhe gjuan direkt në Agonisin. Ky duhet me tregu se çka është biseduar në atë telefonatë që e ka nxit me marrë atë veprim”, tha Tetaj.

Vëllai i të ndjerit rrëfeu para trupit gjykues se është vërejtur presioni që i është bërë Agonisit në punë. Madje sipas tij, “njëri prej familjes Gogaj i ka ra shuplakë Agonisit”.

“Këto janë sjelljet e familjes Gogaj”, tha ai.

Selmon Tetaj, kushëri i të ndjerit, rrëfeu para trupit gjykues një ngjarje të zhvilluar në lokalin “Gogaj”.

Tetaj tha se dy javë para se të ndodhte rasti ai kishte shkuar në punëtorinë e Gogajve për të marrë një “gomnice”, ku pas një bisede të zhvilluar aty,  kishte dëgjuar një punëtor “Zeqa” duke i thënë të akuzuarit Shaban Gogaj: “Shaban na të tutem, me neve e ki kollaj, por hajt me Agonisin”.

“Agonisi m’i kapi paret dhe ia la Shabanit,  i tha këqyre 5 euro, 1 ta bjen tjetër herë se këtu ka ble 100 herë. Shabani më pas e hapi dollapin, e shitni dorën përfundi dhe i tha Agonisit: Këqyre Agonis çka kam këtu”, deklaroi ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Besnik  Berisha, pyeti dëshmitarin se pse në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori nuk është përmendur “Zeqa” dhe fjalia “me neve e ki lehtë, po hajt me Agonisin”.

“Unë e kam tregu cili ka qene reagimi i Shabanit, mirëpo tash jam duke e plotësuar deklaratën. I kam thënë ato që kanë të bëjnë me rastin por jo edhe deklarimet”, u kundërpërgjigj dëshmitari.

“A të ka tregu Agonisi se çka ka në fiok Shabani?”, ishte pyetja e radhës e Berishës.

“Jo, por shpeshherë shprehja e fytyrës tregon diçka tjetër, veprimet e Shabanit të kanë jep me kuptu se diçka nuk është në rregull”, u përgjigj dëshmitari.

Seanca e radhës mbahet më 20 janar 2020.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë se Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F.Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.