Bashkëshortja e Agonis Tetajt e kundërshton kërkesën pasuroro-juridike të parashtruar nga mbrojtësi i viktimave

Bashkëshortja e Agonis Tetajt është shprehur se nuk qëndron prapa kërkesës për dëmshpërblim në vlerë prej 628 mijë euro e cila ishte parashtuar nga mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmetaj  në emër të saj.

Albesa Cacaj këtë e ka thënë në seancën e së martës më 12.03.2024, në gjykimin ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetatj më 2018 në bisnezin “Gogaj AG” dhe të akuzuarit tjetër për armëmbajtje, Isuf Cacaj.

“Lutem që kërkesën e parashruar nga zotëri Luan në seancën e kalume të mos merret si kërkesë e familjes së Agonisit”- tha bashkëshortja e Agonis Tetajt.

Sipas Albesa Cacajt e njëjta nuk e ka autorizuar mbrojtësin e viktimave, Luan Mehmetaj që të bëjë përllogaritje dhe specifkime të shumave të parave.

“Gjithmonë zotin Luan e kam autorizuar që të bëjë kërkesë dhe të mos heq dorë nga e drejta legjitime që më takon si e dëmtuar por jo të bëjë ndonjë specifikim apo përllogaritjet siç janë bërë të njohura në seancën e kaluar e që tek unë dhe tek familja ime kanë ndikuar shumë keq”- tha tutje Cacaj.

Bashkëshortja e Tetatj tha se nëse e shohin të nevojshme dhe të arsyeshme do të paraqesin kërkesë pasurore juridike në kontest civil.

Ndërsa mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmetaj i cili mbron bashkëshorten e Agonis Tetajt, tha se e dëmtuara ka qenë në njohuri se do të parashtrohet kërkesa pasurore juridike.

“E dëmtuara ka qenë në njohuri, e kemi ftuar në zyrë, në atë zyrë kemi qenë bashkë unë dhe shefi i zyrës”- tha Mehmetaj.

Mehmetaj tha se mbrojtësi i viktimave nuk mer autorizim për të parashtuar kërkesë pasurore juridike.

Ndërsa mbrojtësi i Shaban Gogajt, avokati Besnik Berisha tha se autori i kërkesës është demaskuar keq së bashku me dëshirën e tij për të bërë mrekulli.

“Meqë të pavërtetat dolën në shesh dhe autori i tyre u demaskua keq bashkë me dëshirën e tij për të bërë mrekulli duke lexuar të shkruarat nga të tjerët e jo nga familja e Agonisit, më duhet ta rikapitulloj se të pavërtetat që na u servuan së paku dy herë u shoqëruan edhe me keqcitime të deklarimit tim, por kjo nuk na habitë sepse po bëhen për ta mbuluar një dështim dhe jo për ta pasqyruar një realitet”- tha Berisha.

Berisha tutje tha se ishte i interesuar të dinte nëse mbrojtësi i viktimave kishte përqindje në këtë kërkesë.

“Si duket përulja dhe njollosja e imazhit të familjes Tetaj e Cacaj dhe tani të ndjerit paska qenë e pjesëtuar nga mbrojtësi (I interesva të tyre), por jam kureshtar të di nëse kishte përqindje ai në këtë shumë apo e bënte për të citur të tjerët që të linçojnë e fyejnë të dëmtuarit pa të drejtë e pa meritë”- tha tutje Berisha.

Në seancën 07.03.2024 mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmetaj kishte propozuar kërkesë pasurore juridike në emër të bashkëshortes të Agonis Tetajt, Albesa Cacaj.

Gjykimi udhëhiqet nga gjyqtarja Violeta Husaj- Rugova me anëtarët Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu. Kurse Aktakuza përfaqësohet nga prokurori i Gjilanit, Isuf Sadiku.

I akuzuari Shaban Gogaj në seancën e 28.09.2023 nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me veprën penale për të cilën akuzohej “Vrasje e rëndë”.  Kurse Isuf Cacaj kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale ‘armëmbajtje pa leje’ por që Gjykata në seancën e së enjtes më 07.03.2024 ia ka revokuar pranimin e fajësisë.

Kujtojmë që Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur më 28.09.2023, nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë. I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.

Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.

Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.

Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO – LINK