Foto: KALLXO.com

Vrasja e policit në Skenderaj, eksperti i psikiatrisë tregon nga çfarë çrregullimi vuante i akuzuari

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar rigjykimi ndaj të pandehurit Maliq Biringjiku, i akuzuar për vrasjen e policit Valon Goxhuli në Skenderaj.

Në seancën e sotme u dëgjua eksperti i psikiatrisë, Ajet Bunjaku.

Pas pyetjes së prokurorit Njazi Rexha, eksperti Bunjaku ka treguar se nga ekzaminimi katërjavor që i ishte bërë të akuzuarit Maliq Biringjiku në institut ishte konstatuar se i njëjti vuan nga çrregullimi mendor i quajtur stresant postraumatik PTSD.

Tutje Bunjaku ka shpjeguar se te personat me këtë çrregullim veprimet dhe sjelljet mund të jenë të zvogëluara por jo në shkallë esenciale.

“Meqenëse ky çrregullim është një çrregullim i cili zgjat shumë dhe i cili kërkon një trajtim të vazhdueshëm mjekësor, gjykimi për veprimet e veta kryesisht është i ruajtur. Në raste të caktuara në momente kur këta persona e kanë të mbizotëruar simptomatologjinë e sëmundjes gjykimi për veprimet dhe sjelljet e veta mund të jetë i zvogëluar por jo në shkallë esenciale“, tha Bunjaku.

Gjatë seancës u ridëgjuan edhe dëshmitë e dëshmitares Florentina Rushiti dhe dëshmitarit Xhevahir Haxhaj.

Dëshmitarja Rushiti para Gjykatës ka thënë se në ditën kritike kishte dëgjuar të shtëna rafal, ndërsa nga vetura markën e të cilës nuk e dinte, kishte dalë sipas saj një person i plagosur.

“Rastësisht kam qenë duke kaluar pranë veturës së viktimës, nuk e di markën por ka qenë me ngjyrë të zezë, në atë moment vetura është ndalur, prej veturës mbrapa ka dalë një grua, unë e kam kaluar dhe në atë moment kanë filluar të dëgjohen të shtënat mirëpo unë kam qenë me shpinë të kthyer. Në një moment gjuajtjet janë ndaluar, kur kam tentuar me u kthy kokën kanë gjuajtur prapë dhe unë kam ikur, jam fshehur. Diçka ka pasur aty afër, nuk me kujtohet shumë mirë, kështu që kur jam kthy e kam pa vetura ka qenë me tym ndërsa nga vetura e pasagjerit përpara ka dalë një person, i cili ka qenë i plagosur dhe u shtrirë në tokë”, tha Rushiti.

Gjatë dëshmisë së saj dëshmitarja gjithashtu ka thënë se nuk kishte mundur ta vërejë automjetin prej nga ishte shtënë dhe se krejt çfarë kishte parë kishte qenë tymi dhe personi i lënduar që sipas saj kishte rënë aty.

Kurse dëshmitari Xhevahir Haxhaj, i cili kishte qenë punëtor në një kompani për vendosjen e gypave atmosferikë, i pyetur nga prokurori ka thënë se çdoherë në vendin e punës i kishin lënë një ose dy punëtorë për të siguruar vendin e punës, duke shtuar se derisa kishin qenë duke punuar në fshatin Qubrel nuk kishte vërejtur ndonjë automjet i cili nuk i kishte përfillur urdhrat e punëtoreve të sigurimit.

Tutje gjatë dëshmisë së tij ka thënë se aty nuk kishte kaluar asnjë veturë e tipit “Ford Focus”, sepse sipas tij aty rruga kishte qenë vetëm tre metra.

Avokatja Merita Emini Stublla, e cila në këtë rast është përfaqësuese e palës së dëmtuar, e ka pyetur dëshmitarin nëse qëndron prapa deklaratës së tij të dhënë më herët.

E dëshmitari tha se qëndron prapa deklaratës së dhënë kur kishte dëshmuar për herën e dytë në Gjykatë.

“Qëndroj pranë deklaratës së dhënë për herë të dytë këtu, sepse në Polici nuk kam dhënë deklaratë por në rrugën e Vitakut“, tha dëshmitari.

Dëshmitari nga avokatja po ashtu është pyetur nëse kishte pirë kafe në ETC – Mitrovicë me dikë që kishte lidhje me familjen e të akuzuarit Maliq Biringjiku, kurse dëshmitari është përgjigjur që personin NN e kishte pasur shok dhe se nuk e dinte nëse kishte lidhje me familjen Biringjiku apo jo.

Pas kësaj avokati Xhafer Maliqi, i cili në këtë seancë e përfaqëson palën e dëmtuar, Arsim Fejza, ka kërkuar që dëshmitari të vihet nën betim për dhënien e dëshmisë së tij, ani pse paraprakisht dëshmitari ishte njoftuar nga kryetari i trupit gjykues për obligimet e tij në lidhje me dhënien e dëshmisë.

Kurse anëtari i trupit gjykues Avni Mehmeti edhe një herë e ka pyetur dëshmitarin lidhur me takimin e tij me personin për të cilin vetë dëshmitari pretendonte se ishte shok i tij.

Pas pyetjes së gjykatësit Mehmeti, dëshmitari ka deklaruar se rastësisht ishte takuar me NN personin.

Derisa i pyetur edhe një herë nga gjykatësi Mehmeti se a qëndronte pranë deklaratës së dhënë në Polici dëshmitari ka theksuar se në deklaratën e dhënë në Polici nuk janë fjalët e tij “sepse nuk e di çfarë është shkruar”.

Por dëshmitari nuk e ka mohuar se kjo deklaratë ishte nënshkruar nga ai.

Kurse meqenëse në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohej edhe dëshmitari Sefedin Hasani dhe i njëjti nuk ishte paraqitur në seancë edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt, seanca e sotme është shtyrë.

Seanca e radhës u caktua për më 9 tetor.

Kurse meqenëse Gjykata e Apelit kur kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim kishte kërkuar që të bëhej rikonstruimi i vendit të ngjarjes, data 1 nëntor u caktua për ta bërë këtë.

Ndryshe Prokuroria e Mitrovicës e akuzon Maliq Biringjikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Biringjikun, vëllanë e tani të akuzuarit Maliq Biringjiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij, Arsim Fejza, nga vetura “Ford Focus” me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani atij plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Biringjiku.

Aktakuza thotë se aty i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kishin ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.

Në lidhje me rastin i ndjeri, Valon Goxhuli, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Mitrovicës, në maj të vitit 2015, nga akuza për vrasjen e Bekim Biringjikut më 2 nëntor 2013, pas një zënke që kishin pasur të dy.

Kurse sipas aktgjykimit të cilin atëkohë e kishte shpallur  gjykatësi Burim Ademi,  vrasja e Bekim Biringjikut nga polici Valon Goxhuli ishte cilësuar si vrasje në mbrojtje të nevojshme.