Vrasja e 18 vjeçares, Gjykata merr këtë vendim ndaj Dardan Krivaqës

Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesorë për vrasjen mizore të 18 vjeçares Marigona Osmani, pritet të qëndrojë 30 ditë në paraburgim.

Kjo pasi Gjykata e Ferizajt e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj Krivaqës.

Gjykata ka bërë të ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Dardan Krivaqa, më 22 Gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim), kanë kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’.

Tutje sipas kërkesës se Prokurorisë i dyshuari Krivaqa, për motive gjelozie me dashje dhe në mënyrë mizore ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike deri sa e ndjera ka ndërruar jetë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari tjetër Arbër Sejdiu ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Marigona Osmanit, pasi gjatë gjithë kohës ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës psiqike dhe fizike ndaj saj.

Për veprën me të cilën ngarkohet Dardan Krivaqa, dënimi minimal sipas Kodit Penal të Kosovës është 10 vite e deri në dënim me burgim të përjetshëm.

Kallxo.com raportoi dje se Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, është i dënuar për një incident të ndodhur në dhjetor të vitit 2020.

Ai kishte pranuar fajësinë se i kishte vënë thikën në fyt duke i shkaktuar lëndime të dëmtuarit Z. H., por ky aktgjykim ndaj tij nuk është i plotfuqishëm.

Dosja e Gjykatës sqaron se i dëmtuari kishte dashur t’i lajmërojë policinë të dyshuarit pasi kishte dyshime që ai po konsumonte drogë, e Dardan Krivaqa menjëherë e kishte kapur për qafe dhe i kishte vënë thikën në fyt duke i shkaktuar gërvishtje në anën e majtë të qafës.

Për këtë vepër penale gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 180 ditësh, dhe aty i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër e dënimit i ishte shndërruar në punë në dobi të përgjithshme prej 180 orëve.

Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit kishte matur rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Si rrethanë veçanërisht lehtësuese gjykata kishte konstatuar faktin se i pandehuri e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar, rrethanë tjetër lehtësuese pendimin e sinqertë dhe real për veprën e kryer, dhe faktin se i akuzuari është në përkujdesje të nënës së tij.

 

Dosja e Prokurorisë: Dardan Krivaqa dyshohet për vrasje në mënyrë mizore