I dyshuari për vrasjen e 18 veçares në Ferizaj, Dardan Krivaça

Dosja e Prokurorisë: Dardan Krivaqa dyshohet për vrasje në mënyrë mizore

Dardan Krivaqa, sipas dosjës së Prokurorisë, dyshohet se në mënyrë mizore, e ka vrarë tashmë të ndjerën Marigona Osmani.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari Krivaqa, për motive të ulëta me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën, derisa ajo ka ndërruar jetë.

Krivaqa që dyshohet se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë, është sjellë në Gjykatën e Ferizajt për t’u përballur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Para pak qestesh, seanca ndaj tij ka përfunduar dhe pas pak pritet të merret edhe vendimi i Gjykatës lidhur me caktimin e paraburgimit.

Për veprën me të cilën ngarkohet Dardan Krivaqa, dënimi minimal sipas Kodit Penal të Kosovës është 10 vite burgim, ndërsa ai maksimal i përjetshëm.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit në të cilën bëhen të ditura veprimet e të dyshuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Dardan Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim), kanë kryen veprën penale vrasja e rëndë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari tjetër Arbër Sejdiu ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Marigona Osmanit, pasi gjatë gjithë kohës, ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës psiqike e fizike.

KALLXO.com raportoi dje se Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, është dënuar për një incident të ndodhur në dhjetor të vitit 2020.

Ai kishte pranuar fajësinë se i kishte vënë thikën në fyt duke i shkaktuar lëndime të dëmtuarit Z. H., por ky aktgjykim ndaj tij nuk është i plotfuqishëm.

Dosja e Gjykatës sqaron se i dëmtuari Z.H kishte dashur ta lajmërojë policinë pasi kishte dyshime që Krivaqa po konsumonte drogë, ndërsa Dardan Krivaqa menjëherë e kishte kapur për qafe dhe i kishte vënë thikën në fyt duke i shkaktuar gërvishtje në anën e majtë të qafës.

Për këtë vepër penale gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 180 ditësh, dhe aty i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër e dënimit i ishte shndërruar në punë në dobi të përgjithshme prej 180 orëve.

Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit kishte matur rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Si rrethanë veçanërisht lehtësuese gjykata kishte konstatuar faktin se i pandehuri e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar, rrethanë tjetër lehtësuese pendimin e sinqertë dhe real për veprën e kryer, dhe faktin se i akuzuari është në përkujdesje të nënës së tij.

Dosja e Gjykatës – Pse ishte dënuar Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj