Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Ulja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, për katër ditë 188 seanca anulohen në Gjykatën e Prizrenit

Për katër ditë 188 seanca janë anuluar në Gjykatën e Prizrenit dhe degët e saj si pasojë e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj.

Lekaj ka pohuar se vetëm më 24 nëntor 2022, janë anuluar dhe shtyrë 43 senaca.

“Ju njoftojmë se në bazë të sistemit elektronik, në Gjykatën Themelore në Prizren dhe degët e saj, për datën 24.11.2022, kanë qenë të caktuara 43 seanca gjyqësore të cilat janë shtyer”- ka thënë Lekaj.

Lekaj tutje ka sqaruar se më datë 25 nëntor 2022, kanë qenë të caktuara 17 seanca gjyqësore të cilat janë shtyer. Kurse me datë 29 dhe 30 nëntor, janë shtyer 128 seanca.

Në total, sipas të dhënave të Gjykatës për katër ditë janë anuluar 188 seanca.

Ditë më parë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur me kryetarët e gjykatave ka marrë vendim që të reduktohet puna dhe të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale.

Kjo gjendje sipas vendimit do të zgjasë deri më datë 8 dhjetor 2022.

KGJK ka theksuar se nëse Qeveria nuk e shfuqizon vendimin e datës 23 nëntor, Këshilli më 8 dhjetor do vendosë për masa të tjera.

Qeveria e Kosovës më 23 nëntor të këtij viti mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017, kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

“Me këtë vendim pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, sqaroi kryeministri.

Në vitin 2017 qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj kishte marrë vendim që t’ia dyfishoj vetës pagën, e ky vendim kishte prekur edhe sistemin e drejtësisë.

Haradinaj vendimin për rritjen e pagës e kishte arsyetuar edhe me nevojën që ka si kryeministër për të blerë kravata.