Kravatat për kryeministrin në rrethojat e qeverisë | Foto: KALLXO.com

Kravata për Kryeministrin me Rrogë të Dyfishuar

Rreth njëqind kravata, disa këmisha të bardha e të kaltra, një palë çorape, por edhe disa centë u vendosën në valixhen ku mblidheshin dhuratat për Kryeministrin Haradinaj.

Kjo ishte pjesë e aksionit të iniciuar nga organizata “Beyond the Wall” në kundërshtim të një deklarate të kryeministrit për rritjen e pagës.

Brenda dy ditësh, Kushtrim Mehmeti, nga kjo organizatë u bë i njohur në media dhe rrjete sociale.

Për ironi, gjatë mbledhjes së “donacioneve” për Kryeministrin, në shesh doli, i buzëqeshur, zëdhënësi i Qeverisë, Halil Matoshi.

Ky i fundit, duke qëndruar larg valixhes me kravata, këmisha, çorape e centë, e shpërndau urimin e Ramush Haradinajt dhe Anita Haradinajt për festat e fundvitit dhe Raportin e Punës 100-ditore të Qeverisë.

“Kryeministri i Kosovës u uron festën, u jep raportin e punës” tha Matoshi.

Më pas Mehmeti ia dhuroi Matoshit një kravatë.

Ndërkaq, Mehmeti, bëri thirrje që të mbahet vëmendja në aksionin e planifikuar.

Ndër të tjera, vëmendjen e mediave e mori edhe një arsimtar i pensionuar, i cili tha se është i mllefosur me deklaratën e kryeministrit.

Haradinaj kishte thënë në emisionin Jeta në Kosovë se punëtorët e arsimit kanë qenë studentë të dobët gjatë shkollimi të tyre.

http://kallxo.com/haradinaj-punetoret-e-arsimit-ish-studente-te-dobet/

Arsimtari e hodhi një stilolaps në valixhen ku mblidheshin dhuratat. Arsimtari i pensionuar tha se duhet të ketë më shumë presion.

“Më e keqja është se sot ne po mblidhemi këtu dhe nesër shkojmë. E shprehim mllefin këtu dhe nesër ikim në shtëpi. Unë bëj thirrje që të vazhdojmë jo vetëm me këtë që po e shihni këtu”, u shpreh arsimtari.

Ndërsa të gjitha kravatat dhe rrobat e tjera u vendosën në rrethojën e objektit të Qeverisë.

Kushtrim Mehmeti pas vendosjes së rrobave në rrethojën e Qeverisë foli rreth iniciativës së tij.

“E filluam këtë iniciativë duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit ku në arsyetimin e rritjes së rrogës së tij jep një arsyetim që për mua është ofendim, duke thënë që, neve na nevojiten (paratë) për të blerë këmisha, për të blerë kravata”, tha Mehmeti.

Veç tjerash, ai bëri thirrje që kryeministri ta ul rrogën e tij.

Ky i fundit e rikujtoi edhe numrin e madh të zëvendësministrave.

“Ai lirisht mund t’i pushojë nga puna 72 zëvendës-ministra”, tha Mehmeti.

“I kemi vendosur kravatat në këto rrethoja për shkak se kryeministri ka nevojë t’i shohë ato. Ndoshta edhe nuk i pëlqejnë, ato që nuk i pëlqejnë mund të na i kthej mbrapsht. Ne do t’ia zëvendësojmë”, shtoi ai.

Mehmeti tha se Haradinaj e përfaqëson një popull të varfër, ndërsa tha se qytetarët janë treguar solidarë me kravatat e këmishët që i kanë lënë.

I gjithë aksioni u nxit nga një deklaratat e kryeministrit në media, me të cilën ai e arsyetoi dyfishimin e rrogës së tij me nevojën për të blerë kravata dhe për paraqitje të përshtatshme.

“1300 euro mos t’i kisha t’hyrat tjera qi i kom, ta zamë qiranë… Se une obligohna ni kravatë, unë s’muj tash gjithqysh me dalë, obligohna ni kmishë – obligohna me qenë n’nivel t’përgjegjësisë”, kishte thënë ai në RTK.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për kabinetin e madh të Qeverisë Haradinaj dhe shpenzimet e tij, para se Kryeministri t’ia rriste rrogën vetes.

Sa na Kushton “Ushtria” e Gjeneralit