Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Qeveria ndryshon pagat për gjyqtarë dhe prokurorë, i kthen siç kanë qenë para vitit 2017

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendim që të jua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili tha pagat në sistemin e drejtësisë nuk kanë mundur të ulen për shkak se në Kushtetuese ka qenë trajtimi i ligjit të pagave.

“Vendimi i marr paligjshëm dhe në konflikt interesi, i qeverisë së kaluar, në vitin 2017 për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është shfuqizuar me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 12 shkurt 2020, ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese, marrë parasysh që ishte në procedurë trajtimi nga Gjykata Kushtetuese ligji i pagave”, deklaroi kryeministri Kurti.

“Me këtë vendim pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, sqaroi kryeministri.

Bardhyl Dobra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme tha që vendimi i qeverisë Haradinaj nuk ka qenë i bazuar në performancë, por ka qenë vendim ad-hoc.

“Vendimi i aso kohe për rritje të pagave ka qenë për kabinetin, kryeministrin dhe zyrtarët politikë dhe në mënyrë direkte ka pasur ndikim edhe tek rritja e pagave në sistemin e drejtësisë. Ai vendim nuk ka qenë i bazuar në matje të performancës, ka qenë vendim Ad-hoc. Rritja e pagave të asaj kohe jo detyrimisht ka pasur ndikim edhe në performancën e sistemit të drejtësisë, prandaj këto janë dy çështje të ndara”, tha ai.

Dobra tutje ka sqaruar se ulja e pagës do të bëhet në mënyrë graduale dhe jo menjëherë.

“Piramida është e tillë që presidentja është në maje, andaj edhe duhet të respektohet kjo hierarki, pra ne e gjitha që po bëjmë është respektimi i kushtetues, dhe në rast se dikujt i zbritet paga ne e kemi paraparë që zbritja e pagave do të bëhet në mënyrë graduale, vitin e parë kur hynë ligji në fuqi ata vazhdojnë ta marrin pagën që e kanë marrë, ndërsa në vitin e dytë 50 për qind vazhdojnë ta marrin”.

Ndërsa i pyetur për bazën ligjore të vendimit të sotëm Dobra ka thënë se “Ka qenë vendim arbritrar i qeverisë (Haradinaj) në atë moment, andaj qeveria e sotme ka të drejtë të marrë vendime për t`i shfuqizuar vendimet arbitrare.

Në vitin 2017 qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj kishte marrë vendim që tia dyfishoj vetës pagën, ky vendim kishte prekur edhe sistemin e drejtësisë.

Haradinaj vendimin e kishte arsyetuar rritjen e pagës edhe me nevojën që ka si kryeministër për të blerë kravata.

Qeveria Kurti 1 me të ardhur në pushtet, kishte vendosur që ta shfuqizojë vendimin e qeverisë së mëparshme të Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar dhe stafin e tyre. Vendimi i marrë 12 shkurt nuk ka prekur sistemin e drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Qeveria ia ul pagat vetes, Kurti thotë se vendimi nuk e prek sistemin e drejtësisë