Adem Grabovci duke dhënë fjalën përfundimtare në rastin `Pronto` - 30.12.2019

Supremja ende nuk ka vendosur për rastin ‘Pronto’

Gjykata më e lartë e Kosovës ende nuk ka vendosur për rastin që mori vëmendjen më ta madhe mediatike për përgjimet e dëgjuara që njihen si  ‘Pronto’.

Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.

“Ju njoftoj se Kolegji i Gjykatës Supreme ende nuk ka vendosur për rastin në fjalë” u përgjigj Uka për KALLXO.com.

Në rastin ‘Pronto’ janë marrë dy vendime, njëri lirues nga gjykata e shkallës së parë më 3 janar 2020, dhe njëri dënues nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit, më 1 korrik, ndryshoi vendimin lirues të shkallës së parë për të akuzuarit Adem Grabovci, Ilhami Gashin e Sedat Gashin duke i dënuar me kusht. Më pas, ankesat ndaj këtij vendimi lëndën e dërguan në Gjykatën Supreme  për të prishur vendimin e Apelit.

Andaj Supremja më 29 shtator mbajti seancën e kolegjit në të cilën shqyrtoi ankesat e tre të dënuarave nga gjykata e shkallës së parë.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ish minitri  Besim Beqaj, deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për veprën penale shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.